Eurodeputeti Mario David: Shqipëria e meriton marrjen e statusit kandidat
Eurodeputeti portugez, një nga zërat kryesor të politikës evropiane dhe Partisë Popullore Evropian, Mario David shprehet në favor të një vlerësimi pozitiv nga Komisioni Evropian, si përgjigje e përpjekjeve serioze që ka bërë vendi këtë vit. Në një intervistë për mediat shqiptare në Bruksel, anëtari i Parlamentit Evropian thekson se Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha të cilat duhet të kompensohen
Pas hapave që janë bërë nga Shqipëria këtë vit, a mendoni, se BE-ja duhet të konsiderojë pozitivisht kandidaturën e tij në tetor?
Shqipëria ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme. Ne e dimë, që ka ende përpjekje për t’u bërë në aspektin demokratik, social dhe ekonomik, pasi jo të gjitha partitë kanë patur vullnetin për të luajtur rolin e tyre demokratik. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi pa një bashkëpunim të tillë, nuk mund të përmbushet kriteri i Kopenhagës, pa të cilin një vend nuk mund të çelë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin. Shpresoj që të gjitha partitë dhe i drejtohem këtu veçanërisht partive të opozitës, që të kuptojnë se ato janë përgjegjëse për faktin, që Shqipëria nuk e ka përmbushur ende kriterin politik për të çelur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Unë e vë veten në pozicionin e një shqiptari. Ju vini nga një vend që është ende jashtë Bashkimit Evropian. Për arsye historike, Shqipëria mund të kërkojë që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian vetëm në 2012 dhe ajo pret të njëjtin solidaritet nga BE-ja me të cilin Bashkimi Evropian ju përgjigj vendit tim, Portugalisë kur bëmë revolucionin demokratik në 1974. Nuk është një çështje e lodhjes së zgjerimit apo kapacitetit të absorbimit. Ne jemi një kontinent i vetëm dhe duhet të jemi solidarë me vendet që për arsye historike mund të kërkojnë të bëhen pjesë e familjes evropiane vetëm tani.
Komisioni Evropian konsideron se ka rezultate të dukshme, por kërkohen ende përpjekje dhe sinjale domethënëse nga klasa politike siç është çështja e imuniteteve. A mendoni se pavarësisht nga këto, duke parë ç’është arritur, Komisioni duhet të japë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë këtë vit?
Mendoj se po. Ne sigurisht presim që qeveria dhe opozita të vazhdojnë realizimin e reformave për kriteret e përcaktuara nga Komisioni Evropian, pasi këto janë detyrat e shtëpisë që duhen kryer para se të çelen negociatat e anëtarësimit. Po ju takon shqiptarëve që të bëni zgjedhjen tuaj. Ne si Bashkim Evropian duhet gjithashtu të jemi gati. As ne nuk jemi gati dhe jemi gjithashtu për tu fajësuar për këtë. Por Shqipëria ka bërë përpjekje shumë të mëdha dhe këto përpjekje duhet të kompensohen.