Meta-Riker: Vonesat në heqjen e imunitetit nuk i shërbejnë perspektivës evropiane të vendit
Kreu i LSI-së, Ilir Meta pati dje një takim të veçantë me zv/ndihmës-sekretarin e DASH, Philip Reeker. Konfirmohet mbështetja amerikane për procesin e integrimit evropian si dhe vëmendja e veçantë që SHBA i kushton ecurisë së reformave dhe konsolidimit të pavarësisë së institucioneve në vend
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta pati një takim të veçantë me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, Philip Reeker, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri. Mësohet se gjatë takimit, Meta dhe Reeker, tema e diskutimeve ka qenë mbi zhvillimet e fundit politike në vend, duke i kushtuar fokus të veçantë përshpejtimit të axhendës së reformave dhe përmbushjes së prioriteteve në funksion të integrimit evropian të Shqipërisë. Theksi i takimit u vu tek domosdoshmëria e konsolidimit të pavarësisë së institucioneve, lufta kundër korrupsionit, heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe tek marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Të dy bashkëbiseduesit kanë rëndë dakord se duhet të votohet pa vonesa heqja e imunitetit ndërsa kanë shtuar se duhet përgjegjshmëri e madhe politike për marrjen e statusit kandidat.
Kreu i LSI-së Meta falënderoi zotin Reeker për mbështetjen dhe partneritetin e fortë që SHBA i ofron Shqipërisë, dhe u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur në vazhdimësinë e rolit të saj pozitiv dhe konstruktiv në politikën shqiptare, si e vetmja rrugë për zgjerimin e bashkëpunimit mes palëve në shërbim të integrimit evropian të vendit, dhe në veçanti për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE brenda këtij viti.
Ndër të tjera Meta u shpreh se marrja e statusit të vendit kandidat, do ishte një zhvillim pozitiv jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin. Nga ana e tij, Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA Reeker shprehu mbështetjen e SHBA për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë si dhe vëmendjen e veçantë që SHBA i kushton ecurisë së reformave dhe konsolidimit të pavarësisë së institucioneve në vend. Në përfundim të takimit, Meta dhe Reeker ndanë mendimin e përbashkët se përshpejtimi i reformave të nisura kërkon më tepër përgjegjshmëri politike nga të gjitha palët, duke vënë theksin në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve dhe në votimin për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.