Me mosvotimin e imunitetit, Rama thellon humbjen e ardhshme
Rama s’e heq imunitetin, prej virozës së humbjes - Tashmë është fakt se Edi Rama po bën çmos të marrë pushtet në tavolinë nëpërmjet bllokimit të statusit për në BE dhe delegjitimimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kryesocialisti ka bindjen se po i ra imuniteti, viroza e humbjes do t’i shndërrohet në një sëmundje kronike. Por agjenda e bllokimit s’do të ndalë dot as raportin pozitiv për reformat në tetorin e këtij viti e as takimin elektoral të Berishës për një mandat vazhdimësi në qershor të 2013-s
Jo më kot Edi Rama deklaroi në fillim të kësaj jave se, 10 muaj para zgjedhjeve ai do të nisë një “betejë të ashpër”, dhëmb për dhëmb me qeverinë dhe gjunjë më gjunjë me popullin socialist. Pra, ethet elektorale kanë filluar dhe në ngrehinën socialiste çdo ditë që kalon përjetohet si votë e humbur pas 10 muajsh. Që prej çeljes së sesionit të ri parlamentar, në tërësi gjatë javës së parë të muajit shtator, ka patur një intensifikim deklarativ të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, lidhur me kursin reformator në Shqipëri, konkretisht heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Sikurse, edhe periudha e pushimeve zyrtare (muaji gusht) s’ka qenë i “fjetur” siç pretendohej nga njëri krah politik i zënë në hall nga mosdhënia e konsensusit për çështjet e rëndësisë së madhe. Kuptohet që këto janë përpjekje dëshpëruese me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga objektivat realë dhe fokusimin tek periferia atje ku Edi Rama pretendon të gjejë mëshirë për vendimin e gabuar që ndërmori 4 vjet më parë me ndryshimin e Kushtetutës. Dhe pikërisht këtu fle lepuri. Fiks një vit më parë, në nisje të debatit për zgjedhjen e Presidentit, Rama nxitoi të mbushë kronikat e oborrit mediatik dhe podiumet e PS-së, me pretendime të tilla si “domosdoshmëria e ndryshimit të Kushtetutës në zgjedhjen e presidentit jo me shumicë të thjeshtë siç ai ishte shprehur konsensualisht 4 vjet më parë (70+1), por të rikthehej te modeli i krizës (84 vota)”. Shumë shpejt ngrehina socialiste e sfumoi rezistencën për ndryshimin e kushtetutës në zgjedhjen e presidentit, duke kaluar në ndryshimin e sistemit zgjedhor, ku edhe për këtë duhej rrëzimi i neneve kushtetues.
As kjo nismë s’gjeti hapësirën e planifikuar nga këshilltarët krizë-ndjellës pranë lidershipit socialist. Në këto kushte, mundësia e vetme mbetej tentativa për të deligjitimuar procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit dhe bllokimi i reformave të integrimit. Edhe sot e kësaj dite, 4 muaj pasi Bujar Nishani u betua mbi Kushtetutë për respektimin e ligjit, pavarësinë e institucioneve dhe nxitjen e dialogut politik, Partia Socialiste vazhdon ta sulmojë me gjuhën e rrugës thjesht e vetëm për kredibilitet politik si qëllim-dashes të konfliktit dhe tensionit të tej zgjatur politik. Aktualisht ka një përqendrim të vëmendjes së ndërkombëtarëve më shumë se kurrë, tek plotësimi i 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, për marrjen e statusit të vendit kandidat. Parimisht BE është shprehur se Shqipëria ka përmbushur një pjesë të mirë të listë-detyrimeve të “masës kritike”, çka shumëfishon mundësitë për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti.
Intensiteti deklarativ në rritje është për plotësimin e këtyre detyrimeve, veçanërisht përshpejtimi i hapave në luftën kundër korrupsionit. Kësisoj, kjo betejë ka një lidhje të pashmangshme me imunitetin e zyrtarëve të lartë që shpeshherë, për të mos thënë gjithmonë, bëhet pengesë në zbatimin e ligjit dhe rritjen e eficencës institucionale të agjencive ligjzbatuese. Në kushtet e zotimit të hekurt të mazhorancës për ta bërë imunitetin më praktik dhe jo mburojë ndaj aferave korruptive të zyrtarëve të caktuar, opozita është shndërruar në avokatin e ethshëm të korrupsionit dhe ryshfetit. Arsyet e vërteta të betonizimit të Edi Ramës “pro” imunitetit janë të paqarta, përpos atij të dhunës verbale që vjen nga grupi parlamentar socialist (i dominuar më së shumti nga miliardierë që zotërojnë pasuri të dyshimta). Por, ka edhe një arsye tjetër dhe ajo lidhet me “kostot elektorale”. Dihet botërisht se, çdo sukses të Shqipërisë në reforma, Edi Rama merr si risk për të mbijetesën e tij politike në PS. Nëse axhenda e bllokimit s’ka si justifikim presionin në rritje të pasanikëve të grupit parlamentar të PS, atëherë ajo lidhet me direkt me presionin psikologjik të lidershipit socialist, presion i cili vjen nga vota e qytetarëve pas 10 muajsh.
L.Quku