E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputeti gjerman: “Opozita duhet të mësojë si humben zgjedhjet”

02-02-2013 / Gazeta 55

Elmar Brok: 3 ligjet e statusit, të vendosë populli

Eurodeputeti gjerman, njëherësh kryetar i komitetit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok shprehet se nëse partitë politike në Shqipëri nuk bien dakord për përmbushjen e tre kushteve, atëherë le të vendosë populli. Sipas tij, propozimi nga kryeministri Berisha për zhvillimin e një referendumi kombëtar për 3 ligjet që mbajnë peng statusin e vendit kandidat në BE, është një alternativë për të shkuar drejt zgjidhjes së situatës. Duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Brok thotë se, “shpresoj që opozita të mësojë se si humben zgjedhjet, nëse ajo i humb sërish ato - pasi të pranosh se ke humbur është një parim bazë në demokraci”

Z.Brok, a e ndani shqetësimin e komisionerit Fyle, që do të jetë mëkat nëse Shqipëria e humb statusin e kandidatit, për shkak të tre kushteve të paplotësuara?
Mendoj që po. Të gjitha partitë duhet të bashkëpunojnë. Socialistët të mos përdorin rrugën e gabuar, por të gjejnë mënyrën për kompromis. Shpresoj që të arrihet një marrëveshje dhe të lihen luftërat e brendshme për interesin kombëtar.

Është hedhur një ide nga kryeministri për të organizuar një referendum për përmbushjen e këtyre tre kushteve, si një rrugëdalje nga situata. Çmendoni për këtë?
Mendoj, se ai ka të drejtë të japë një alternativë, se si mund të arrihet zgjidhja e situatës. Nëse kjo është e vetmja rrugë dhe partitë nuk bien dakord për një zgjidhje, atëherë le të vendosë populli.

Në qershor janë zgjedhjet e përgjithshme. A mendoni se përbëjnë një test për pjekurinë e vendit, jo vetëm për procesin por edhe njohjen e rezultatit?
Shpresoj që opozita të mësojë se si humben zgjedhjet. Të mësosh të fitosh apo të humbësh dhe të pranosh që ke humbur, kjo është një çështje shumë e rëndësishme në demokraci. Është një nga parimet themelore të saj. Ndaj shpresoj, që socialistët do të pranojnë humbjen, nëse ata do të humbin sërish.

Komisioneri Fyle: Zgjedhjet të rëndësishme, por duhet të dominojë kultura e kompromisit

Zëdhënësi i Fyle, Peter Stano: “23 qershori, test kyç për funksionimin e institucioneve demokratike”

Tre ditë përpara vizitës zyrtare në Shqipëri, komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle ka komentuar në profilin e tij në rrjetin social “Twitter”, rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri, duke shtuar se “ato nuk i japin zgjidhje çështjeve kritike në vend”. “Zgjedhjet janë të rëndësishme për Shqipërinë, por nuk zgjidhin çështjet kritike, që janë kultura e kompromisit dhe mungesa e gjithëpërfshirjes”- shkruan edhe në gjuhën shqipe, Fyle. Komisioneri Stefan Fule pritet të vizitojë Tiranën në fillim të javës së ardhshme në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat. Ndërkaq, zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerim, Peter Stano duke konfirmuar vizitën e Stefan Fyles ditën e hënë në Tiranë, për të biseduar me partnerët e tij në vend – vuri theksin tek korrektësia e zgjedhjeve dhe roli i tyre si test kyç për funksionimin e institucioneve demokratike. Në lidhje me zbatimin e reformës zgjedhore, KE tërhoqi vëmendjen se ky proces po vëzhgohet jo vetëm nga Komisioni por edhe nga vendet anëtare. “Sigurisht që është shumë i rëndësishëm dhe ne e theksojmë çdo ditë se nuk bëhet fjalë vetëm marrëveshje mbi ligjet dhe procedurat, por bëhet gjithashtu fjalë për zbatimin. E në të vërtetë nuk po vëzhgon vetëm Komisioni Evropian se si po bëhet kjo gjë por edhe vendet anëtare. Shembulli i fundit janë konkluzionet e Këshillit në dhjetorin e kaluar ku vendet anëtare kanë deklaruar, e mendoj se kjo është përgjigjja më e mirë ndaj pyetjes tuaj, se: Zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, do të jetë një test kyç për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit. Vlen të theksohet se kjo pjesë e konkluzioneve të vendeve anëtare për zgjedhjet, që u lexua sot edhe nga Komisioni, lidhet ngushtë me plotësimin e kriterit politik, i domosdoshëm për marrjen e statusit. Komisioni do të ndjekë gjithashtu nivelin e plotësimit të kritereve të mbetura si dhe nivelin e konsensusit në dialogun mes palëve, një tjetër kriter nën monitorim të vazhdueshëm në rastin e Shqipërisë” - deklaroi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›