Eurodeputetja Doris Pak: ”Mos ngatërroni NATO-n me BE-në
Eurodeputetja Doris Pak ka shkurajuar qeverinë shqiptare dhe mbështetësit e saj të zellshëm brenda BE-së, duke deklaruar se, “procesi i anëtarësimit në strukturat e NATO-s nuk duhet ngatërruar me atë në Bashkimin Europian, pasi nuk janë e njëjta gjë”. Në konferencën për shtyp që dha dje, në mbyllje të takimeve 2-ditore me përfaqësues të institucioneve dhe partive politike shqiptare, Pak ka lënë të nënkuptohet se beteja e fituar në NATO nuk mund të garantojë patjetër anëtarësim në Bashkimin Europian. Ky qëndrim vjen disa javë pas deklaratës së kryeministrit çek, Topolanek, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, që tha se një vend që anëtarësohet në NATO e meriton të aplikojë për statusin e kandidatit të BE-së. Një formulim i tillë është rimarrë nga drejtues të lartë të qeverisë shqiptare, në kuadrin e fushatës për të realizuar procedurat e aplikimit brenda 6-mujorit të parë të presidencës çeke. “Shqipëria ka rrugë të gjatë për të bërë për t’u bërë anëtare e BE-së”, - ky ka qenë qëndrimi i eurodeputetes Pak, e cila ka vlerësuar vetëm Kroacinë në rajon për reformat që ka arritur për t’u bërë pjesë e komunitetit europian. Ndërsa për vendet e tjera të Ballkanit, Pak është shprehur se do ta fitojnë të drejtën e aplikimit si kandidatë me të drejta të plota për në Bashkimin Europian kur të përmbushin kushtet e duhura. Është ende një rrugë e gjatë për t’u integruar”, - ka thënë ajo. "Shqipërisë i duhet një rrugë e gjatë për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe zhvillimi i zgjedhjeve demokratike e të ndershme është një ndër pikat kyçe për integrimin e saj", - tha europarlamentarja dje në konferencën për shtyp. Ajo ka folur edhe për kartat e identitetit, ku veçoi se nuk mund të shpërndahen karta falas në asnjë rast. "Askush nuk mund të shpërndajë karta falas", - tha Pak. Ajo theksoi se çmimi i kartave, prej 8 eurosh, është shumë i ulët. Përsa u përket atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë, Pak tha se çdo shtetas duhet të aplikojë dhe të dëshmojë pamundësinë e pagesës për mjete të tilla. Konferenca e djeshme shënoi edhe fundin e axhendës 2-ditore të znj. Pak dhe delegacionit të europarlamentarëve që e shoqëronte, në bashkëbisedimin e radhës mes strukturave të BE-së dhe autoriteteve shqiptare.
21 Mars 2009