E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurogrupi takim emergjent te merkuren per Greqine

Ministrat e Financave të Eurozonës do të mblidhen në një telekonferencë ditën e mërkurë për të diskutuar ndihmat e radhës për Greqinë. Kjo mbledhje emergjente e Eurogrupit do të bëjë një përmbledhje të situatës lidhur me negociatat mes Athinës dhe trojkës ndërkombëtare. Pavarësisht se aktualisht nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare mes tre partive të koalicionit grek dhe përfaqësuesve të trojkës, deri ditën e mërkurë palët duhet të arrijnë me patjetër një konsensus mes tyre. Takimi emergjent i ministrave të financave të eurozonës është njoftuar nga Brukseli përmes zëdhënësit të komisionerit për çështjet ekonomike dhe financiare Olli Rehn, sipas të cilit në tavolinën e diskutimeve do të jetë pikërisht çështja greke duke filluar nga masat strukturore të kërkuara Athinës, nga dhënia ose jo e dy viteve shtesë për realizimin e tyre, problemet e rifinancimit të vendit si dhe ndihmat e nevojshme financiare. sipas këtyre burimeve nuk do të flitet për një ristrukturim të ri të titujve qeveritar grekë edhe pse borxhi publik helen vijon të krijojë shqetësime të mëdha në tregun financiar. Pak ditë më parë FMN bëri me dije se Greqia nuk do të jetë në gjendje të realizojë objektivat e saj mbi reduktimin deri në 120% të borxhit brenda vitit 2020 ashtu sikurse ishte parashikuar fillimisht. Marrëveshja mes palëve politike dhe trojkës mbi paketën e re të masave shtrënguese është jetësore për Greqinë pasi qeveria ka deklaruar se pa këstin e radhës së ndihmës prej 31,5 miliardë eurosh në këmbim të këtyre masave arka e shtetit do të mbetet bosh deri në fund të muajit nëntor. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›