Investimet austriake ne Shqiperi kalojne te parat
Në vitin 2011 Austria ka rezultuar si partneri i dytë i Shqipërisë për investimet e huaja direkte. Sipas raportit të fundit të Investimeve të Huaja Direkte, që u përkasin investimeve deri në fund të 2010-ës, Austria renditet në vendin e tretë, duke zënë 14% të totalit të stokut të investimeve. Por roli i austriakëve në Shqipëri ka ardhur gjithnjë në rritje duke lënë pas vitet e fundit edhe vendet e tjera. Kryesisht me vënien në punë të hidrocentraleve të para, investitorët austriakë renditen të dytët për nga vlera e kapitalit privat të “hedhur” në Shqipëri, duke lënë mënjanë një prej partnerëve tanë historikë në investime, Italinë. Ndërtimi i dy projekteve të mëdha në sektorin e energjisë bëri që stoku i investimeve private austriake t’i kalojë 15% të totalit të Investimeve të Huaja Direkte të bëra në vendin tonë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, deri dy vite më parë, këtë peshë e zinin investitorët italianë. Investimet në ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës llogariten 200 milionë euro, ndërsa ato në lumin Devoll arrijnë deri në 900 milionë euro. Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Projekte të tjera janë në negociata të avancuara, ndërsa investitorët austriakë, përmes ekspeditave në Shqipëri janë vënë në kërkim të lumenjve me interes. Sipas Agjencisë ndërkombëtare të biznesit, veprat aktualisht në negociata me firmat austriake kapin vlerën e 150 milionë eurove. Sipas përfaqësuesve të biznesit, politikat lehtësuese të qeverisë shqiptare në mbështetje të investitorëve si heqja e TVSH-së për makineritë, për hekurin e çimenton kryesisht për HEC-et, janë avantazhe me të cilat mund të tërhiqen investitorë të huaj, por njëkohësisht përfitojnë edhe kompani shqiptare që merren me ndërtimin e këtyre veprave hidrike. Sipas Zyrës Tregtare Austriake në Tiranë, interesi i firmave austriake është i fokusuar kryesisht në sferën e energjetikës. Javën e kaluar 21 firma austriake, të specializuara në energji, elektronikë, ndërtim dhe konsulencë kanë mbërritur në Shqipëri për të shfaqur projektet e reja për investime.