E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alegri sfidon Berluskonin

Më në fund vjen një fitore, edhe pse mes shumë dyshimeve dhe pa një lojë të vërtetë prej Milani. Por, 3 pikët i japin frymëmarrje skuadrës dhe po ashtu edhe trajnerit Masimiliano Alegri, që ishte vënë nën presion jo vetëm nga rezultatet e nga media, por edhe nga drejtuesit e klubit.
Presidenti Berluskoni ishte shprehur pak ditë më parë se Milani i dukej një skuadër e sëmurë që duhet të kurohej për t’u shënuar.
Por, Alegri nuk mendoi për t’u mbrojtur dhe për të duruar, duke u kundërpërgjigjur. “Besoj se përshtypjet e Berluskonit varen nga rezultatet jo nga paraqitjet në fushë, - ishin fjalët e tij pas përballjes së të shtunës, - Ne kemi luajtur gjithmonë mirë dhe kur jemi mundur në shtëpi. Unë personalisht nuk jam i sëmurë dhe nuk kam qënë asnjëherë i tillë kështu që nuk e di se ku e ka fjalën presidenti”.
Skuadra kuqezi vazhdon të jetë prapa në renditje, tepër e shkëputur jo vetëm nga Juventusi që kryeson, por edhe nga skuadrat që janë në zonën Champions dhe pranë saj. Gjithsesi, trajneri vlerëson përpjekjet e lojtarëve të tij.
“Fitorja është meritë e djemve, - thotë Alegri, - ata përballuan dhe mbyllën me sukses një sfidë tepër të vështirë. Të mos harrojmë se kanë luajtur nën presionin e kritikave të forta e të tepruara për shkak të rezultateve”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›