Euroliga në “Tring”,Flamurtari mposht “nënat e mira” të Skocisë
Doli parashikimi i Rudi Vatës, në 90 minuta të luajtura në Vlorë “Flamurtari” ka dominuar tërësisht ndeshjen me Motherwell, madje duke e fituar atë. Që në minutat e para vendasit kanë dashur të tregohen autoritarë në aksionet e tyre, por pa mundur të realizonin. Ishte minuta e shtatë kur Mema gjuajti nga jashtë zone, por topi përfundoi jashtë kuadratit të portierit të skuadrës skoceze. Miqtë u munduan të zbrisnin por vakët dhe aksionet e tyre u thyen para zonës së rreptësisë nga mbrojtja vlonjate. Në minutën e 13-të Veliu për pak sa nuk ka shënuar pas një goditjeje nga këndi. Në disa aksione të tjera “Flamurtari” ka qenë fare pranë golit, por nuk ka mundur ta gjejë atë me Ngjelën apo Roshin e futur në minutën e 36-të. Minuta e 43-të do të regjistronte një goditje me kokë të Mecgerit, por traversa i ka ardhur në ndihmë portierit Moçka. Në fundin e pjesë së parë, madje në minutat shtesë, ishte Roshi ai që në luftën në ajër me mbrojtjen skoceze godet topin me kokë duke e dërguar drejt e në traversë. Pjesa e parë mbyllet në barazimin “e bardhë”. Në pjesën e dytë vendasit e marrin më seriozisht dhe rrezikojnë disa herë që në fillimin e saj. Gjyqtari austriak ka akorduar në minutën e 57-të një penallti për miqtë, të cilët gabuan në ekzekutimin e saj, pasi Moçka e ka grushtuar topin në goditje këndi. Pas kësaj gjithçka flet për “Flamurtarin”, loja e të cilit kulmon më minutën e 66-të kur Strati gjuan nga jashtë zonës duke e dërguar topin në rrjetë dhe rezultati shkon në 1-0. Për minuta të tëra vlonjatët kanë sulmuar, duke treguar superioritet, por ndeshja edhe pas 6 minutave shtesë ka përfunduar 1-0, duke i dhënë shpresën “Flamurtarit” për një kualifikim të mundshëm.
L.K
17 Korrik 2009