E Diel, 1 Nëntor 2026

Rita Petro: “Kritika letrare nuk komunikon me lexuesin”



Petrika GROSI
Personazhi i radhës në debatin tonë mbi kritikën është poetja e njohur Rita Petro. Ndërkaq, duhet sqaruar për lexuesin se Rita është edhe një njohëse e shkëlqyer e programeve mësimore dhe hartuese e teksteve shkollore, gjithashtu, një nga botueset më serioze në tregun e sotëm të librit. Teksa po bëhet një javë që debati ynë mbi kritikën vazhdon, e të gjithë pohojnë se nuk ka kritikë letrare, për hir të së vërtetës duhet thënë se asnjë studiues apo kritik i para viteve ’90 nuk është ndier dhe afruar për të marrë pjesë në këtë diskutim që synon të jetë vetëm se konstruktiv. I ftojmë ata pak kritikë që na kanë mbetur të mos ngurojnë, e nëse kanë argumenta, ta mbrojnë me përgjegjshmëri qytetare e publike punën, imazhin dhe ekzistencën e tyre.

A ka sot kritikë letrare në Shqipëri?
Është një pyetje që bëhet shpesh dhe në fakt duket paradoksale, sidomos, kur të gjithë ata që pyeten; poetë, shkrimtarë, studiues, pedagogë, apo edhe ato pak kritikë që kanë mbetur, thonë se nuk ka kritikë. Atëherë për çfarë ekziston një fakultet i tërë që duhet të nxjerrë kritikët e ardhshëm dhe për çfarë duhen studiuesit që kemi? Nuk na mungon një traditë e kritikës, madje, fillimet janë që me Konicën, Koliqin, Krist Malokin e Branko Merxhanin, të cilët u morrën me Rilindjen dhe Romanticizmin. Këtu gjejmë edhe shenjat e para të një kritike të vërtetë, e cila i nxjerr në pah si vlerat pozitive, ashtu dhe ato negative të autorëve të ndryshëm, kuptohet, brenda kuadrit ekzistues të zhvillimeve në Shqipëri. Më pas, në kohën e komunizmit, kritika jo vetëm që u largohej vlerave por i deformonte dhe keqinterpretonte dhe ato pak vlera që mund të kishin veprat letrare. Ndërkaq, edhe studiuesit tanë më të mirë më tepër filluan të drejtoheshin nga ana historike, pasi e kishin më kollaj që të bënin studime të tilla, të cilat sigurisht që kanë vlerën e tyre, por nuk janë aq të rëndësishme sa një kritikë që bazohet mbi analizën gjuhësore, të figuracionit dhe në ato shtresa kuptimore, mbi të cilat bazohet një kritikë e mirëfilltë. Sot e kësaj dite na mungon një figurë e njohur e kritikës që të ketë krijuar një besim te lexuesi i zakonshëm por dhe te lexuesi më profesional. Nëse kemi shkrimtarë të dëgjuar, nuk kemi kritikë të dëgjuar. Edhe ato pak studiues seriozë, këtu e në Kosovë, i referohen më tepër krijimtarisë së kaluar dhe jo të sotshmes.

Po për recensionet ç’mendim keni?
Në një fare mënyre recensionet mbizotërojnë mediat por ato nuk janë kritikë. Vetëm sa tregojnë se ku ka dalë libri, çfarë përmban dhe disa vlera të përgjithshme të tij. Për veprat me vlera duhet një kritikë e detajuar, që mund të ishte psikanalitike, analizë teksti, krahasuese etj. Ndonjëherë, thonë se kritiku shkruan aq bukur, sa shkrimi i tij pëlqehet më shumë se libri.

A ka të bëjë ky nivel i dobët, deri në kufijtë ekzistencialë të kritikës, me mungesën e një letërsie të madhe?
Është e vërtetë se nuk kemi ndonjë letërsi të madhe por mund të merren shkrimtarë dhe vepra të shkëputura e të krahasohen me dinjitet me bashkëkohësit e tyre. Pastaj, kemi vlera të mëdha në folklor, të cilat janë të barazueshme me letërsinë e vendeve fqinje, por dhe këtyre ju bëhen studime ose shumë akademike, ose recensione të mangëta dhe jo një kritikë që të na informojë, drejtojë dhe pse jo, të na pëlqejë. Një kritikë e mirë mendoj se qëndron mes esesë dhe shkrimit studimor.

ǒmendim keni mbi botimet e autorëve shqiptarë jashtë shtetit; pse ndodh që ato të merren këtu si vlera të mirëqena, pavarësisht nëse janë apo jo të tilla?
Kjo ndodh për shkak të modës së snobizmit dhe komplekseve që vazhdojnë të kenë shqiptarët ndaj të huajve. Me përjashtim të Ismail Kadaresë, për të cilin ka shkruar kritika botërore dhe është vlerësuar në konkurse prestigjoze, të tjerët janë të dyshimtë. Më së shumti, këta poetë e shkrimtarë të njohur që kemi sot dhe që janë botuar jashtë shtetit, kanë pasur lidhje të ndryshme dhe kanë përdorur postet e tyre diplomatike në ambasada, lidhjet e ndikimet klanore për t’ia arritur qëllimit.

Sa edukohen në gjimnaze nxënësit e sotëm me mendimin kritik dhe frymën e debatit në letërsi?
Edhe esetë që u kërkohen janë letrare në formë komenti dhe mungon mbajtja e një qëndrimi të caktuar të nxënësit ndaj tekstit. Nxënësit nuk mësojnë që të formojnë gjykimin e tyre dhe të shprehin mendimin e shijet mbi letraren. Nëse një nxënës do të ngrihej dhe do të kundërshtonte ndonjë poezi patriotike, ky lloj pozicionimi, për mësuesin do të ishte i papranueshëm. Pra, edukimi është i dobët, ndërkohë që njerëzit që studiojnë për letërsi janë bërrthama e një kritike të ardhshme. Ka disa lëvizje nga katedra universitare e letërsisënë, e cila bën dhe disa emisione në televizion, duke u përpjekur të krijojë debat por nuk duhet harruar fakti se libri i adresohet një lexuesi më të gjerë dhe jo vetëm profesionistëve. Mënyra se si shkruajnë ato pak kritikë që kemi nuk vlen si orientim për lexuesin, që ky i fundit të shkojë drejt librave më të mirë. Për të mos folur pastaj për klanet që mbrojnë një lloj letërsie dhe autorësh të caktuar duke i përjashtuar të tjerët.

Si ndikojnë shtëpitë botuese në kritikën e librave, recensionet dhe studimet e ndryshme, duke pasur parasysh këtu, interesat e tyre ndaj autorëve që vetë i botojnë?
Librat që boton një shtëpi botuese, zakonisht i përgjigjen llojit të letërsisë dhe autorëve të saj. Që të botosh studime serioze e voluminoze ka probleme të mëdha, pasi ato nuk janë komerciale në tregun e librit dhe kushtojnë shumë.

A nuk është e çuditshme që këta pedagogë, të cilët duhet të formojnë kritikët e ardhshëm, për vete nuk e marrin guximin të bëjnë qoftë dhe një kritikë?
Nuk duhet të jenë ata që na thonë se na mungon kritika, pasi universiteti duhet të formojnë dhe të bëjë kritikën, ashtu siç nuk është normale të thotë mjeku se na mungon mjekësia.

Duke pasur parasysh këtë situatë, a mund të krijohen kritikë nga shkollat shqiptare?
Të mos bëhemi pesimistë; me kalimin e kohës dhe forcimin e universiteteve, përkthimet e ndryshme të studimeve dhe metodologjive bashkëkohore të kritikës do të kemi dhe ne kritikë të rinj. Fundja, nuk mungon një lloj tradite, megjithë boshllëqet e shkëputjet e saj.

Po shkrimtarët dhe poetët a mund ta marrin rolin e kritikut?
Sado që të ketë talent, edhe nëse do të shkruajë një ese të mirë, një krijues ka stilin e tij, egon dhe xhelozinë që është e pashmangshme. Veç kësaj, në këtë mes është edhe termi që jemi mësuar ta përdorim shpesh “konflikt interesash”. Nuk besoj se një shkrimtar apo poet mund të jetë kritik i mirë dhe i besueshëm. Kritika kërkon guxim dhe pranim të vlerave, pavarësisht nëse ato janë të kundërta me shijet personale të kritikut. Lexuesi shqiptar ka nevojë për një kritikë që të komunikojë me të dhe ta orientojë drejt vlerave, kjo i mungon.

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›