E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa: E para kriza, pastaj vizat

Debati Në takim do të marrë pjesë edhe komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Stefan Fule

Greva e urisë e 22 deputetëve socialistë dhe 180 mbështetësve të opozitës jep sinjalin e parë në arenën ndërkombëtare. Pa kaluar as 72 orë nga ky zhvillim, Parlamenti Europian ndryshon axhendën e takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, duke vendosur diskutimin e situatës politike në Shqipëri më përpara se çështja e liberalizimit të vizave, e cila ka qenë në planin paraprak. Sekretaria e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, ka publikuar axhendën e mbledhjes së ditës së parë së takimit që nis sot në orën 15.00 në ndërtesën “Alitero Spineli” në Bruksel. Sipas draftit të programit të punimeve të mbledhjes së parë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, pika e parë e rendit të ditës është adaptimi i punimeve të mbledhjes, në rend të dytë është përcaktimi i procedurave dhe rregullave të takimit. Ndërsa si pikë e tretë është situata e marrëdhënieve midis BE-së dhe Shqipërisë me një nënpikë të saj siç është shkëmbimi i opinioneve të anëtarëve të lartë të Komitetit, Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare. Pra bëhet e qartë në program se pjesëmarrës në takimin e sotëm do të jenë edhe përfaqësues të Komisionit, të cilët do të drejtohen nga diplomati dhe politikani çek, Stefan Fule, i cili do të përballet nga pala shqiptare me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. Ndërkaq, pikë e katërt e rendit të ditës, e cila realisht është dhe e para faktikisht është “Situata Politike në Shqipëri”. Ndërkaq, pika e 5 e rendit të ditës është çështja e liberalizimit të vizave, në pikën e 6 është situata ekonomike e ndarë me nënpikën përparimi i reformave dhe/ose politika energjetike, pika e 7 do të cekë çështjen e zbatimi dhe funksionimi i shtetit të së drejtës në nënpikën: diskutimi i situatës së gjyqësorit dhe lufta ndaj korrupsionit. Në pikën e tetë të axhendës së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit do të jetë çështja e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut dhe në veçanti i lirisë së medias. Pika e 9 e rendit të ditës adaptimi apo përcaktimi i rekomandimeve për Shqipërinë, në pikën 10 do të diskutohen çështjet e tjera, ndërsa pika e fundit të përcaktojë axhendën e takimit të nesërm. Po nesër do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp, e cila do të japë qëndrimin e Bashkimit Europian për përshkallëzimin e fundit të krizës politike në vend. Në takimin e sotëm do të marrin pjesë 14 anëtarë të Parlamentit Europian, Komisioneri Fule që bëhen 15, të cilët do të jenë me numër të barabartë e përfaqësuesit e Shqipërisë, të cilët do të jenë me të njëjtën formulë pra 14 parlamentarë dhe një ministër. Deputetët që marrin pjesë do të jenë: shtatë deputetë të Partisë Demokratike dhe shtatë të Partisë Socialiste. Nga mazhoranca do të jenë prezentë: Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi. Ndërsa nga opozita: Valentina, Leskaj, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Ilir Beqja. Nga deputetët e PS-së, tre anëtarë të delegacionit kanë hyrë në grevën e urisë, ndërkohë që vetëm Malaj dhe Balla është bërë e ditur se do të jenë në Bruksel, kurse për Beqën është thënë që nuk do të largohet nga greva. Sipas gjasave, ai do të zëvendësohet nga deputeti tjetër, Eduart Shalsi, i cili është akredituar me statusin e vëzhguesit. Në deklaratat e dhëna në publik përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës që do të përballen sot në Bruksel kanë shkëmbyer pikëpamje të ndryshme. Kështu, deputetja e mazhorancës, Albana Vokshi, mendon se do të jenë vizat prioritare në diskutimin e sotëm. “është një mbledhje shumë e rëndësishme, pasi do të vendosë edhe se sa shpejt shqiptarët do të mund të lëvizin të lirë. Do të diskutohen çështje politike, çështje ekonomike, çështje që janë vendimtare për mbarë shqiptarët”, tha Vokshi për mediat. Ndërkaq, deputeti socialist, Ditmir Bushati tha se “Do të vazhdojmë të këmbëngulim në shpjegimin që do t’i bëjmë edhe në Bruksel, siç kemi bërë në vijimësi, gjithë partnerëve tanë që ajo që kërkojmë nuk është asgjë më shumë sesa partnerët tanë gëzojnë në vendet e tyre”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›