E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë nervash mes qeverisë dhe investitorëve

Eurobondet, disa investitorë shpërndajnë deklarata informale në media si presion për interesat

Një luftë nervash, deklaratash dhe kundërdeklaratash u zhvillua gjatë ditëve të fundit mes qeverisë shqiptare, e cila shpreson të tërheqë investitorë për 300-400 milionë eurobonde dhe menaxherëve të ndryshëm të fondeve të investimit, të cilët po mendojnë t’i blejnë bondet, por shpresojnë për interesa sa më të larta të mundshme. Strategjia e Ministrisë së Financave duket se bazohet te dëshira për të kapur investitorët në surprizë, duke refuzuar të deklarojë datën dhe orën e fillimit të mbledhjes së ofertave për eurobondet, ndërsa investitorët po spekulojnë mbi rreziqet e krijuara nga Greqia, me shpresë për të marrë një interes më të lartë. Në një analizë të publikuar dje, agjencia “Reuters” raportonte nga Beogradi, duke cituar një burim bankar pa emër në Londër, se qeveria shqiptare kishte shpresuar të fillonte shitjet të enjten, por e shtyu procesin për javën e ardhshme. Duke raportuar për planet e disa qeverive të Ballkanit për emetimin e bondeve në monedhë kombëtare apo në monedhë të huaj, lajmi citon një bankier, i cili thotë: “Ato (qeveritë e Ballkanit) janë në gjendje paniku të plotë. çështja është bërë një sekret i rëndësisë së parë”. Zëvendësministri shqiptar i Financave, Nezir Haldeda, iu përgjigj në një intervistë për Bloomberg këtyre opinioneve, duke bërë të ditur se Shqipëria ka në plan të ecë përpara me emetimin e eurobondeve dhe se kriza greke nuk do të ketë ndikim.

Kriza greke ka krijuar kushtet e kostos oportune për investitorët. Gjatë javës së shkuar, investimi në bondet greke ofronte interesa joshëse deri në 12 për qind, ndërsa Shqipëria shpreson të tërheqë bonde me interesa maksimale prej 7.5 për qind. Vende të tjera të Europës ofrojnë maksimalisht 4 apo 5 për qind interes. Por investitorët e kanë të qartë se interesat aktuale të borxhit grek janë të përkohshme dhe nuk do të qëndrojnë të tilla përgjithmonë. Për më tepër, eurobondet shqiptare që do të ofrohen për shitje, do të kenë vlerë minimale 50 mijë euro, gjë që e bën procesin shumë likuid dhe i vendos investitorët para kushteve të plota të konkurrencës. Megjithatë, investitorët e dinë se qeveria shqiptare dëshiron të marrë 400 milionë euro borxhe, nga të cilat vetëm 200 milionë do të përdoren për të paguar një kredi të shtrenjtë të marrë vitin e kaluar. Pjesa tjetër i nevojitet Ministrisë së Financave për të mbuluar shpenzimet e këtij viti. Dhe qeveria duket se nuk ka kohë për të pritur për përmirësimin e kushteve në tregun ndërkombëtar. Qeveri të tjera, të cilat e kanë luksin e pritjes, e kanë marrë sakaq vendimin për të shtyrë emetimet. Mali i Zi, i cili pati shprehur dëshirën për të emetuar bonde me vlerë 200 milionë euro në maj, ka heshtur dhe nuk e ka cytur më tej këtë çështje. Një zyrtar kroat i paidentifikuar raportoi për “Reuters” se “planet e huamarrjes së Zagrebit do të përshtaten me ecurinë e krizës greke”.

Java e ardhshme do të jetë vendimtare për ëndrrën e qeverisë për akses në tregun ndërkombëtar të parasë. Në rast se dështon, Ministrisë së Financave do t’i duhet t’i drejtohet tregut të brendshëm, ku interesat janë shumë më të larta dhe komplikacionet makroekonomike mund të krijojnë rritje të mëtejshme të inflacionit.

Të mirat e eurobondeve

Dallimi kryesor mes eurobondeve dhe kredive sindikale që qeveria shqiptare ka tërhequr deri tani në tregun ndërkombëtar, duket se qëndron te numri i kredidhënësve. Aktualisht janë dy grupime bankare që i kanë dhënë Shqipërisë 430 milionë euro kredi. Me njërin prej grupeve, kredia u tërhoq përmes negociatave direkte dhe pa tender. Në një rast të tillë, vendi mbetet në mëshirë të kredidhënësve, të cilët kanë mundësinë të ushtrojnë presion dhe të kërkojnë interesa stratosferike. Shqipëria është përballur me një situatë të tillë më herët edhe në tregun e brendshëm të borxhit publik. Deri në vitin 2004, borxhi i brendshëm maturohej mesatarisht një herë në 40 ditë. Disa banka që kontrollonin shumicën dërrmuese të borxhit, qenë në gjendje të ushtronin presion herë pas here, duke kontrolluar realisht interesat dhe duke i mbajtur të larta. Ky problem u zgjidh pjesërisht kur Ministria e Financave nxori në shitje më shumë bono thesari afatgjata, duke e reduktuar aftësinë e bankave për presion mbi interesat. Eurobondet mund të zgjidhin pikërisht këtë problem në borxhin e jashtëm të Shqipërisë. Disa mijëra bonde do t’u shiten investitorëve të ndryshëm, të cilët nuk do të jenë në gjendje të bëjnë presion mbi interesat.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›