E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa e Interit

Kampion i Evropës. Kampion i Evropës. Kampion i Evropës. Qielli është i kaltër në Madrid. Ëndrra është bërë realitet. Pritja 45 vjeçare mori fund. Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, pas 15 viteve të kaluara në klub, në paraqitjen e tij të 700-të në fanellën e Nerazzurrëve ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve pas fitores 2-0 në finale ndaj Bayern Munichut, në stadiumin Santiago Bernabeu, në Madrid.

Hero i ndeshjes finale ishte sulmuesi argjentinas Diego Milito, i cili shënoi të dy golat. Inter është kthyer në kulmin e futbollit evropian, duke fituar titullin e tyre të tretë, ndërsa futbolli italian ka shpëtuar pozitën e katërt që siguron kualifikimin për në garën elite të futbollit evropian. E shtuna ishte natë e Interit, që kompletoi sukses të trefishtë historik (pas titullit në Serie A dhe Kupën e Italisë). Ishte nata e Militos, i cili realizoi dy gola të jashtëzakonshëm.

Ishte nata e Jose Murinhos, i cili festoi titullin e tij të dytë në Ligën e Kampionëve me dy ekipe të ndryshme. Për të thuhet se mund të kalojë në Real Madrid. Shumëkush e quan arrogant, por në dy vitet e deritashme në Inter ka arritur më tepër se pasardhësit e tij në 44 vitet e kaluara. Nëse në futboll ekziston një trajner galaktik, është ai. Mourinho është bërë trajneri i tretë pas Ernst Happel dhe Ottmar Hitzfeld që ka arritur të fitojë Ligën e Kampionëve me dy ekipe të ndryshme.

Militoi shënoi në minutat 35 dhe 70. Të parin e realizoi kur Julio Cesar e degazoi topin në pjesën e Bayernit te Wesley Sneijder, i cili depërtoi dhe shërbeu për argjentinasin, i cili mposhti portierin Hans Joerg Butt. Disa minuta më vonë edhe Sneijder u gjend në një pozitë të mirë, por goditja e tij nga afërsia u prit nga Butt. Bayern dy herë ishte afër golit të barazimit nëpërmjet Thomas Muellerit dhe Arjen Robbenit, para se Milito të pranojë një top në kundërsulm, kaloi qendërmbrojtësin Daniel van Buyten dhe shënoi në këndin e djathtë, duke kompletuar fitoren bindëse për gjigantin milanez.

“Kurrë në jetën time nuk kam ndjerë gëzim kaq të madh. Inter deshi të fitojë për presidentin, i cili e meriton këtë titull”, tha Milito i cili ishte vendimtar edhe në suksesin e Interit në Serie A, pasi shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Sienës në xhiron e fundit që siguroi Scudetton e 18-të në histori të klubit. “Ky është futbolli. Gjithmonë mundohem të mësoj më tepër, edhe pse jam 30 vjeç”, u shpreh ai. Në fund të ndeshjes, Mourinho u përshëndet me homologun e tij nga Bayern, Louis van Gaal. Portugezi ishte asistent i holandezit për tri vjet në Barcelonë, nga 1997-200. Megjithatë, nxënësi e mposhti mësuesin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›