E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça, një pikë afër titullit

Trepça mund ta sigurojë edhe matematikisht titullin e kampionit të Kosovës në futboll të dielën në Kastriot. Mitrovicasit do të jenë mysafirë të KEK-ut, që tashmë duket se është dorëzuar, andaj “Xehetarëve” do t’u mjaftonte vetëm një pikë për ta siguruar epitetin e më të mirit.

Dy xhiro pa përfunduar kampionati, diferenca ndërmjet Trepçës dhe KEK-ut është gjashtë pikë, kështu që vetëm një mrekulli mund të bënte që ekipi i Bylbyl Sokolit të bënte befasi. Përkundër këtij kapitali, mitrovicasit do t’i futen kësaj përballjeje si në të gjitha të tjerat dhe synojnë fitoren, për t’i gëzuar tifozët e vet.

“Pavarësisht mungesave që kemi, do të mundohemi ta komponojmë një ekip të fortë, i cili do ta marrë me seriozitet këtë lojë sikur ta vendoste titullin. Është obligim profesional i yni që ta japim maksimumin, do të luftojmë për shikuesit tanë dhe t’ua vërtetojmë të gjithëve se e meritojmë të jemi aty ku jemi”, deklaroi trajneri i Trepçës, Gani Sejdiu.

Ndërkaq, Bylbyl Sokoli duket të jetë i dorëzuar sa i përket titullit të kampionit. Ai thotë se ekipi i tij do të mundohet të tregojë lojë të mirë dhe ta përfundojë sezonin si nënkampion.

“Trepça do të jetë kampion, aty nuk ka diskutim. Ndërsa ne do të mundohemi ta ruajmë pozitën e dytë. Si në çdo ndeshje, edhe të dielën do të hyjmë për të treguar lojë të bukur, ndërsa do t’ua japim rastin edhe futbollistëve të rinj”, tha Sokoli.

Ndeshje tjetër interesante pritet të jetë edhe ajo ndërmjet Hysit dhe Prishtinës, ekipe këto që synojnë t’ia rrëmbejnë KEK-ut pozitën e dytë.

Raiffeisen Superliga – Java 32

E diel
Besa – Ferizaj
KEK-u - Trepça
Hysi – Prishtina
Liria – Drenica
Flamurtari – Kosova (V)
Gjilani – Vëllaznimi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›