E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujkani, i etur për Kombëtaren

Samir Ujkani është në pritje të rregullimit të pasaportës së Belgjikës për t’iu bashkuar sa më shpejt Kombëtares së Shqipërisë, para miqësores ndaj përfaqësueses së Malit të Zi, që zhvillohet më 25 maj në Podgoricë.

Ekipi kuq e zi është grumbulluar që nga e mërkura e kaluar në Kavajë, derisa Ujkani ende nuk i është bashkuar ekipit pas disa problemeve me dokumentacion. Megjithatë, portieri kosovar thotë se shumë shpejt do të mund t’u nënshtrohet urdhrave të selektorit, Josip Kuze.

“I kam disa probleme me pasaportën e Belgjikës, e cila ende nuk më ka ardhur këtu në Itali. Të hënën apo të martën do e marr pasaportën dhe do t’i bashkohem ekipit kombëtar”, ka deklaruar Ujkani për të përditshmen shqiptare Shqip.

Ai ka thënë me këtë rast se ka hasur në mirëkuptim të përzgjedhësit, Josip Kuze. Por, kjo vonesë e pashmangshme duket se e ka shqetësuar edhe vetë portierin vushtrrias, që dëshironte të ishte pjesë e grumbullimit nga fillimi dhe të luajë me Kombëtaren, ku nuk ka luajtur qe gjashtë muaj.

Ujkani me ekipin e tij, Novara – ku ishte huazuar nga Palermo – ia doli në fund të këtij sezoni të ngjitet në Serie B të Italisë. Ai shpreson se Palermo, që e posedon kartonin e tij, ta lë edhe më tutje në Novara, pasi aty ai po luan si titullar.

“Shpresoj që Palermo të mos më pengojë të rri edhe më tej në Novara, sepse aty jam portieri i parë. Por, nëse Palermo mendon të më kthejë mua, fillimisht dua të bisedoj me ta se çfarë planesh kanë për mua dhe çfarë portierë kam konkurrentë. Do të bisedoj edhe me zyrtarët e Palermos edhe me ata të Novaras, por pas miqësores me Malin e Zi”, ka përfunduar ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›