E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkimi i Spahiut, maxhoranca miraton ngritjen e komisionit hetimor

Kuvendi ka miratuar sot vetëm me votat e maxhorancës ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së.

Nisma e propozuar nga deputetët demokratë për shkarkimin e Kreshnik Spahiut mori 73 vota pro dhe 57 kundër. Ashtu siç janë shprehur edhe më parë, deputetët e opozitës nuk e votuan ngritjen e komisionit hetimor.

Komisioni që do të hetojë veprimtarinë e Spahiut do të përbëhet nga 9 anëtarë: 5 nga maxhoranca dhe 4 nga opozita.

 Xhafaj: I trembeni të ardhmes së tij politike

Opozita kundërshtoi sot ngritjen e komisionit hetimor për veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së. Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, u shpreh në seancën e sotme se PS do të votojë kundër ngritjes së këtij komisioni, të cilit i mungon tërërsisht morali politik.

Dje juristin tuaj e shpallët si simbol të shoqërisë civile, sot e thërrisni liliput, faqezi e sharlatan, tha Xhafaj në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Spahiut.

Xhafaj u shpreh se pas kërkesës së demokratëve për shkarkimin e Spahiut qëndron frika nga e ardhmja politike e kryetarti dhe nënkryetarit të KLD-së.

“Ju trembeni për të ardhmen e tyre politike, por nuk do të arrini të ruani vota duke prerë koka”, tha Xhafaj.

“Kjo është një nismë e cenueshme në frymën kushtetuese. Kërkesa dhe mënyra se si është hartuar është një gjë e sforcuar dhe nuk është në përmbushje të kritereve të Kushtetutës”, tha tha Xhafaj.

Ju kurrë nuk keni pranuar të ngrini komision për gangrenën e korrupsionit që ka kapur vendin sepse ju nuk mund të hetoni veten. Ju ndërtuat një tjetër monstër hetimore, atë të 21 janarit që do të mbahet mend si turpi i drejtësisë shqiptare, tha Xhafaj.

* * *

Sot Kuvendi shqyrton nismën e deputetëve demokratë për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Javën e kaluar, nisma e demokratëve u miratua pa votat e opozitës në Komisionin e Ligjeve. Gjithashtu, nisma parashikon edhe ngritjen e një komisioni parlamentar, i cili do të hetojë veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së.

Sipas deputetëve demokratë, Spahiu ka ushtruar veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke devijuar nga funksioni kushtetues që ka.

Iniciativa për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së u bë publike dhjetë ditë më parë nga kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.

Berisha u shpreh se Spahiu dhe presidenti Topi kanë shkelur Kushtetutën për interesa partiake. Ai e ka emrin Kreshnik, por është një liliput, u shpreh kryeministri.

Ndërsa vetë Spahiu e ka ka cilësuar të paligjshme iniciativën e deputetëve demokratë për shkarkimin e tij.

Shkarkimi im nuk parashikohet me Kushtetutë. Në të nuk parashikohet as shkarkimi i anëtarëve të tjerë të KLD-së. U bë një kohë e gjatë që po më bëhet presion, por unë nuk do largohem nga presionet, tha Spahiu në Komisionin e Ligjeve.

Në lidhje me nismën për shkarkimin e Spahiut, opozita ka deklaruar votën e saj kundër në Parlament. Sipas socialistëve, kërkesa për shkarkim nuk është në përputhje jo vetëm me Kushtetutën, por as me kuadrin ligjor ne fuqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›