Sarandë, PS-së i ikin 3 anëtarë të Këshillit Bashkiak, bashkohen me LSI
Këshilltarët e larguar letër Ramës, akuza PS
Largohen nga PS për t’iu bashkuar LSI tre këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Sarandës.
Delfin Hajno, Enkeleda Vasili e Hajri Goxhaj, përmes një deklarate drejtuar Edi Ramës dhe kreut të PS-së së Sarandës Feruz Basho kanë njoftuar vendimin për largimin e tyre nga PS-ja. “Iu bëjmë me dije largimin nga PS-ja nisur nga fakti se programi dhe udhëheqja aktuale e PS nuk përfaqëson më interesat dhe idetë e së majtës shqiptare”, thuhet ne deklarate.
Sipas tyre, PS-ja përfaqësohet nga grupe interesi që kanë për qëllim pushtetin dhe pasurimin e tyre. “Mungon demokracia në organizimin dhe funksionimin e strukturave brenda partisë. Në këtë parti nuk vlerësohet individi, nuk mbështeten vlerat, nuk mbështetet rinia dhe aq më pak femra, pavarësisht sloganit që ka kjo parti. Mungesa e frymës bashkëpunuese jo vetëm brenda strukturës partiake në Sarandë, por edhe në strukturat më të larta organizative të Partisë Socialiste, e kanë bërë të pamundur përfaqësimin tonë dhe aq më pak të qytetarëve që ne përfaqësojmë”, përfundon deklarata e tre anëtarëve të larguar nga PS.