E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa, një Zvicër e madhe?

Në kohë të tjera - e çfarë kohësh ishin ato?- botën e zinin të dridhurat kur zihej në gojë Gjermania. Tashmë gati nuk do t’ia dijë se ç’bëhet me të. Për shembull, nëse do të isha vënë në dijeni vetëm nga televizionet dhe gazetat amerikane të kohëve të fundit, ndoshta as unë nuk do t’i kisha dhënë rëndësi fakti se në një vend të Evropës ka zhvillime të reja. As për Gordon Brownin dhe partinë e tij. Kësisoj, të ofrohet një pamje e zymtë e një anijeje që po fundoset, e prej së cilës nuk ka asnjë njoftim.

Kjo nuk nxjerr në pah vetëm mënyrën për të kuptuar se si kanë ndryshuar përparësitë në Shtetet e Bashkuara, por dhe përthyerjen e përgjithshme të informacionit botëror, që faktikisht ndodh kështu. Nëse do të gjendesha në Kinë, Indi a Brazil, do të kisha përjetuar një ndjesi të ngjashme. Akrobacitë e Berlusconit apo ndodhitë me princin Henri, edhe mund të të bien në vesh, por politika europiane bie në vesh të shurdhër. Europa nuk paraqet asnjë fije rrezikshmërie për të tërhequr vëmendje (nazistët e sotëm gjenden gjetkë), nuk ndodh as edhe ndonjë ngjarje e veçantë, apo që ia vlen barra qiranë për t’i hedhur a kthyer sytë, siç po ndodh tashmë me Kinën. Europa me të vërtetë është simpatike, por edhe e mërzitshme aq sa s’ta zë fort syri.

Për shumë arsye mund të thuhet edhe që kjo është një fitore e bujshme. Herën e fundit që Europa pësoi një krizë financiare dhe ekonomike mjaft të rëndë, me një nivel papunësie nga më të lartit, lokomotiva e Europës nuk pati ato karakteristikat e saj të sipërpërmendura. Në këtë rast, qendra ia doli mbanë të qëndronte në pushtet. Partitë e vogla që i përkasin spektrit të majtë, arritën rezultate të kënaqshme, si për shembull Partia Liberale, që është vërtetësish liberale në rrafshin social dhe ekonomik të vendit, por që nuk ka pasur ndonjë rol të qenësishëm në jetën politike të së djathtës gjermane. Politika “e lënies së fajit tek të huajt” nuk pi më ujë. Angela Merkel e ka dëshmuar tashmë faktin se është një prej figurave politike më të veçanta të Europës. E veçantë, mes të tjerave, për mënyrën e jashtëzakonshme të bërjes sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur gjithçka shkon mirë e pa probleme, nuk mbart paragjykime, është e kuptueshme, “Angie” që na rri pranë.

Në koalicion me liberalët ajo gëzon mundësinë të propozojë edhe për disa shkurtime fiskale, të shtyjë në kohë përdorimin e centraleve bërthamorë e ndoshta edhe të liberalizojë diç më tepër tregun e punës. Ndërkaq, as mbështetësit e tregut të lirë nuk duhet të kenë ndryshim nga i pari. Gjatë mandatit të saj të parë, zbritja deri në qendër erdhi si nevojë e krijimit të koalicionit të madh me socialdemokratët, por nga ana tjetër ishte një zgjidhje e parapëlqyer edhe nga ajo vetë. Edhe zgjedhjet i fitoi për shkak se u pozicionua në qendër. Thelbi i politikës së ndërlikuar i kontrollit e i drejtpeshimit të Gjermanisë vështirëson mundësitë e ndryshimeve të shpejta e të hovshme.

Zhurma që bëhet në vend, se socialdemokracia ka vdekur, është diçka e tepruar. Shumica e vendeve europiane kanë sot një politikë të atillë, një përzierje të liberalizmit ekonomik me socialdemokracinë. Në Britaninë e Madhe, Tony Bler fitoi duke vënë në zbatim karakteristika të theçerizmit: Nëse David Kamerun mund të fitojë në zgjedhjet e pritshme, kjo mund të ndodhë vetëm falë vënies së tij në zbatim të elementëve të blerizmit. Zgjedhjet britanikë gjithashtu varen në qendër. Sfida e vërtetë për këtë qendërzim europian do të fitohet nëse ia del mbanë rritjes ekonomike e mbi të gjitha punësimit. Në të gjithë Europën mbështetja për partitë e vogla është në rritje, si për shembull “Të gjelbrit” dhe “E majta” në Gjermani. Por, tani për tani, qendra ende mbahet fort.

Me Merkelin në krye dhe liberalin Guido Westerwelle ministër të jashtëm, edhe politika e jashtme gjermane nuk e ka ndryshuar fort kursin e mëparshëm. Gjermania vijon të jetë aleatja më e afërt e Rusisë në Evropë (në këtë kuptim, sigurisht që Republika Federale e Gjermanisë përmbush premtimin e bërë prej Helmut Kohl-it ndaj Mikail Gorbachovit qysh prej njëzet viteve të shkuara: një bashkëpunim ekonomik afatgjatë në këmbim të lejimit të Rusisë për bashkimin gjerman). Gjermania do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ndërkohë do të përpiqet të mbajë “ende gjallë’ trupat e saj në Afganistan, ta mbajë të hapur shtegun e bisedimeve me Iranin deri në pikën ku s’mban më ujë pilafi. Kjo do të thotë që Gjermania as nuk e ndihmon fort dhe as nuk e pengon ndopak presidentin amerikan, Barak Obama, të vërë në zbatim synimet e tij në politikën e jashtme.

Më 9 nëntor të vitit që lamë pas u përkujtua rënia e Murit të Berlinit! Në çast na vjen në kujtesë shpresa dhe frika e asaj kohe. Gjermania në zemër të Evropës së bashkuar, model për gjithë botën! Apo ajo që përftohet në vegimet e konservatorëve britanikë dhe polakë! Gjermania e Reich-ut të Katërt! Apo kjo është ‘zembereku i orës’ (nëse përshtatim shprehjen e Orson Welles-it tek Njeriu i tretë). Gjermania, si Zvicra e madhe.

Dhe jo vetëm Gjermania. E gjithë Europa është sot një Zvicër e madhe. Përbëhet nga kantone të mëdha dhe të vogla, që mbrohen me fanatizëm, secila duke respektuar traditat dhe vetëqeverisjen e saj. Kemi kantonin e Sllovenisë dhe kantonin e Francës, atë të Britanisë së Madhe dhe atë të Luksemburgut. Disa prej këtyre kantoneve janë më të rëndësishme se të tjerët, por asnjëri prej tyre nuk ka më shumë rëndësi se sa gjysma e tjetrit –ndonëse Franca e Britania e Madhe besojnë gjithsesi se janë më të rëndësishme se të tjerët. Evropa është kështu një Zvicër e madhe që ka arritur të fitojë një shkallë të lartë sigurie, përparimi, lirie e mirëqenieje sociale për shumicën(ndonëse jo për të gjithë) e qytetarëve dhe një pjesë të konsiderueshme (ndonëse jo për shumicën) për banorët e saj. Për qytetarët e saj është një prej vendeve më të mira ku mund të jetosh. Në politikën e jashtme, Europa e vë ujin në zjarr vetëm për çështje me rëndësi madhore...si liria e Roman Polanskit. Një çështje për të cilën ministrat e jashtëm francezë e polakë u detyruan t’i shkruanin Hillari Klinton-it. Ndoshta, në vijim, do të shprehin shqetësimin e tyre me shkrim edhe ...për verën apo për çantat prej lëkure që hedhin pas shpine.

Është shumë mirë për të (Europën) që të jetë Zvicër. Ndërsa pyetja që lind në këto raste është: A jemi në europianët të aftë të pajtohemi me këtë fakt? Kjo është ajo që dëshirojmë në shekullin XXI? Dyshoj për këtë, por në fund të fundit, shumë europianë do të përgjigjeshin me një “po”. Apo për të qenë pak më i saktë: nuk do të jenë të gatshëm për të sakrifikuar e për të shtënë në dorë diçka më ndryshe se kjo. Çka do të thotë, përgjigjja do të vijë për inerci dhe jo si pasojë e një vendimi të prerë. Më e keqja qëndron diku tjetër: duke i thënë jo kësaj lloj Zvicre të madhe, rrezikojmë të humbasim të gjitha kushtet që na mundësuan qenien ‘Zvicër e Madhe’. Për shkak se ngasja për të pasur një politikë të jashtme europiane nuk do të thotë detyrimisht që gëzon pushtet mbi të, por veçse shpreh aftësinë për t’i dalë në mbrojtje si dhe për të hedhur hapa më përpara në lidhje me interesat që ndajnë përherë e më shumë vendet europiane, e që mbartin njëherazi rrezik në një botë vigane jo-europiane.

Ka mjaft rëndësi që Gjermania të marrë përsipër këtë barrë mbi shpinë. Edhe Britania e Madhe duhet ta pasojë në këtë qëndrim (çka do të thotë se do të shkojë në drejtim të kundërt me konservatorët). Por, vendi më me rëndësi në zhvillimet e fundit europiane ishin Irlanda, Çekia dhe hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës. Por, nëse i shohim ngjarjet po me të njëjtin vështrim demokratik, është po aq e vështirë të pranohet fakti se të përditshmet britanike në pronësi të Rupert Murdokut nuk e vunë fort ujin në zjarr në atë çast aq të rëndësishëm për Europën. Vendimi i irlandezëve ishte edhe në interes të tyre, prandaj nuk i gjeta me vend asokohe paralajmërimet kërcënuese për votimin “e keq”. Por, gjithsesi, diçka tashmë mund të thuhet me plot gojë. Zhvillimet politike në Irlandë e Çeki patën më shumë rëndësi sesa ato në gjirin e politikës gjermane. (Timothy Garton Ash)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›