Qeveritë lejuan amerikanët të fusnin armë bërthamore
Japonia ka gënjyer rreth 50 vjet më parë në lidhje me një marrëveshje të fshehtë, për të lejuar anijet bërthamore amerikane që të përdornin portet e saj. Bëhet fjalë për një marrëveshje që binte në kundërshtim dhe dhunonte parimet antibërthamore të Japonisë. Në fakt, për disa marrëveshje, për të cilat është folur që prej katër vitesh në Japoni, pas publikimeve të dokumenteve sekrete amerikane, por për herë të parë, Tokio zyrtare po e pranon një gjë të tillë, pra faktin e mashtrimit. “Qeveria japoneze ka dhënë shpjegime të pandershme, përfshi shumë gënjeshtra nga fillimi deri në fund”, thuhet në një raport të posaçëm të sapopublikuar, hartimi i të cilit është kërkuar nga Partia Demokratike e Japonisë, që aktualisht ka pushtetin. Kjo parti është përpjekur kësisoj që të distancohet nga veprimet e ndërmarra nga qeveritë e mëparshme të Partisë Liberal Demokrate. “Ky qëndrim është i papranueshëm dhe i palejueshëm për sa i përket parimeve të një demokracie”, thuhet në raport. Ministri i Jashtëm japonez, Katsuya Okada tha: “është për të ardhur keq që ky problem, për një kohë kaq të gjatë, është mbajtur i fshehur dhe i mbuluar dhe nuk i është bërë publik japonezëve të thjeshtë, madje as politikanëve të tjerë, e madje edhe në përfundim të Luftës së Ftohtë”. Sipas tij, kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm të qeverive të mëparshme ishin tërësisht fajtorë për këtë. “Edhe pse nuk mund ta imagjinoj, nuk mund të jem i sigurt në lidhje me mundësinë e futjes në Japoni të armëve bërthamore si pasojë e kësaj marrëveshjeje. Nuk mund t’i heq dyshimet”, ka vazhduar ministri i Jashtëm. Japonezët, duke qenë se janë i vetmi vend në botë mbi të cilin është hedhur një bombë atomike, janë shumë të ndjeshëm ndaj të gjitha çështjeve që lidhen me armët bërthamore, për më tepër kur bëhet fjalë për vendin e tyre. Që pas humbjes që pësuan në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, vendi ka pasur një zhvillim shumë të madh ekonomik, falë mbrojtjes amerikane që tani del se ishte për shkak të çështjes bërthamore. Por në vitin 1967, Japonia u zotua ligjërisht që të mos prodhonte apo blinte armë bërthamore, apo të mos lejonte futjen e tyre në territorin e saj. Gjatë Luftës së Ftohtë, Kryeministri i atëhershëm, Sato, nisi që ta konsideronte këtë parim dhe zotim si “të gabuar”, duke i dhënë hapësirë një marrëveshjeje të fshehtë me Shtetet e Bashkuara, që do ta mbronin Japoninë në rast agresioni, edhe duke i dhënë armë bërthamore. Në vitin 1969, ai dhe Niksoni, ish-presidenti amerikan, ranë dakord që forcat amerikane të fusnin në mënyrë të fshehtë në Japoni armë bërthamore dhe t’i staciononin në bazat amerikane në juglindje të ishullit të Okinavës. Paneli investigativ, i cili është marrë me hetimin e marrëveshjes së fshehtë, ka gërmuar në mbi 4000 dokumente, por sipas tij, një pjesë e madhe e fakteve konkrete që fajësojnë palët nuk ndodhet më në arkivat e Ministrisë së Jashtme. Sipas panelit, dokumentet janë hequr qëllimisht për të mbrojtur nga akuzat ata që bënë këtë marrëveshje të fshehtë. Sipas së njëjtës marrëveshje, Japonia kishte pranuar që Shtetet e Bashkuara të përdornin bazat e saj në Japoni për t’i përdorur gjatë luftës së Koresë dhe kjo u bë pa një marrëveshje paraprake me qeverinë. Japonia, ndërkohë, ka gënjyer edhe për sa i përket deklaratave për një kthim të bazave ushtarake amerikane në Okinava në ambiente civile. Lajme të tilla kanë provokuar pakënaqësi dhe rebelim në Nagasaki, qyteti që pësoi dëmin e madh të bombës atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas kryebashkiakut të qytetit është për të ardhur keq që paktet sekrete janë mbajtur për një kohë të gjatë larg syve të publikut dhe është e tmerrshme që qeveria ka tradhtuar besimin e të mbijetuarve të bombës atomike.
#