Fond Monetar Europian, por ndryshoni Lisbonën
Kancelarja gjermane, Merkel, e ka mbështetur idenë e krijimit të një FMN-je të stilit europian, e cila u hodh më 8 mars dhe do të diskutohet më gjerësisht në ditët në vijim, por shtoi se në një rast të tillë, Traktati i Lisbonës duhet që të ndryshojë. “Sigurisht që duhet diskutuar dhe për momentin lë shumë çështje të hapura, por ideja e një Fondi Monetar Europian më duket interesante”, deklaroi kancelarja e ekonomisë më të fuqishme të Bashkimit Europian. “Por sigurisht që duhet patjetër të pyesim se kush do të paguajë për këtë fond, sa i pavarur do të jetë ai nga Komisioni Europian dhe një fond i tillë nuk mund të krijohet kurrsesi pa një ndryshim të Traktatit të Lisbonës”, vazhdoi Merkel. Lajmi, që politikania më e rëndësishme e Gjermanisë mendon se krijimi i një fondi të tillë, i cili do të ndihmonte në stabilitetin e vendeve të Eurozonës kërkon pa dyshim ndryshimin e Traktatit të Lisbonës, ka shumë mundësi që të mos t’u ketë pëlqyer pjesës më të madhe të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ratifikimi i të shumëdiskutuarit Traktat të Lisbonës ishte një kosto e madhe për vendet e BE-së që u cenua nga shumë pengesa, duke filluar që nga referendumi irlandez e deri tek kundërshtia e Presidentit Klaus. Sipas, Merkelit, arsyeja e një ndryshimi të traktatit është rregulli i BE-së mbi “mosdhënien e ndihmave financiare në raste krizash”, që nënvizohet edhe në traktatin e Mastrihtit, mbi të cilin u bazua edhe krijimi i monedhës së përbashkët europiane. Kancelarja gjermane bëri gjithashtu të qartë që ajo kërkonte që në të ardhmen Bashkimi Europian t’i zgjidhte problemet e tij pa praninë e FMN-së. Ndërkaq Merkel është përkrahur për sa i përket idesë së ndryshimit të Traktatit të Lisbonës edhe nga analistë francezë, çka do të thotë se krijimi i një organizmi të tillë mund të dojë edhe disa vjet të tjerë dhe as që bëhet fjalë që ai të krijohet në mënyrë që të ndihmojë aktualisht Greqinë që të dalë nga kriza aktuale. I pari që hodhi idenë e një fondi të tillë ishte vetë ministri gjerman i Financave dhe kjo ide deri më tani ka fituar mbështetjen e kreut të Bankës Qendrore Europiane.
#