E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa si Titaniku

Nga Islanda në Greqi, “perënditë“ e dy ekstremeve europiane, bënë që të tronditet nga themeli i gjithë kontinenti. Mali Walhalla e dha sinjalin i pari, kishte mbetur që t’i përgjigjej Olimpi. Në fillim pamë shpërthimin e vullkanit islandez Eyjafjoll, i cili gozhdoi në tokë qindra mijë pasagjerë, duke shkaktuar humbje kolosale për kompanitë ajrore.

Sot është kriza e borxhit grek – interesat e të cilit kanë kaluar tashmë shifrën prej tetë për qind, që po kërcënon të shpërthejë. Disa thonë se vendi i radhës që do të bjerë pas Greqisë, do të jetë Portugalia, ku “magma“ e krizës financiare po nis të ziejë. Por me sa po shohim të rejat nga Belgjika, nuk përjashtohet që në hartën e Europës të shohim që të lindë pas disa muajsh një shtet i ri – Flandria. Nuk bëhet fjalë për ndonjë hakmarrje hyjnore, por në fakt duket si e tillë. Islanda dhe Greqia janë dy vendet më të debituar në Europë, njëri për shkak të babëzisë së bankierëve të tij, tjetri për shkak të budallëkut të politikanëve të tij.

Në Islandë bankat përfituan nga një kuadër ligjor ndër më liberalët, për të krijuar një floskë spekulative gjigante, e cila thithte kursimet e britanikëve e holandezëve përmes internetit, me premtimin e interesave shumë të larta. Në Greqi ndërkaq, klasa politike shembi dy dekada financimesh europiane. Duke bërë këtë, ajo hodhi tej njëkohësisht të gjitha shanset për të ndërtuar një administratë efektive dhe një shtet funksionues. Qeveria britanike i ka imponuar Islandës legjislacionin e saj të anti-terrorizmit (për të bllokuar fondet e bankës qendrore të vendit dhe për ta detyruar Rejkjavikun që të nisë kthimin e borxheve). Gjithashtu, Londra ka imponuar aplikimin e një programi të ngjashëm rebursimesh, me atë të Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore.

Sa i përket Greqisë, Bashkimi Europian dhe FMN po e shtyjnë drejt një programi kaq të ashpër masash, sa që ai rrezikon që ta fusë edhe më thellë vendin në krizë financiare. Kështu mund të thuhet se krizën që shkaktuan bankat dhe qeveritë, do ta paguajnë grekët e thjeshtë. Nuk ka nevojë të ngremë ndonjë teoremë apokaliptike apo t’i besojmë besëtytnive, por e vërteta është se në gjithë këtë rrëmujë, ne europianët ngremë sytë nga qielli dhe s’kuptojmë asgjë. Modelet klimatike që vëzhgojnë hirin e vullkaneve dhe skemat e ngatërruara financiare, janë që të dyja të pakuptueshme për ne, të vdekshmit normalë.

Me gjithë përparimin material dhe shkencor, qytetarët sot ndjehen po kaq të pafuqishëm për ta kontrolluar fatin e tyre, sa ata të djeshmit. Programi klasik i iluministëve, që kërkonin të ndriçonin një herë e mirë botën, është ende shumë larg realizimit. Shumë vëzhgues habiten me të drejtë, lidhur me mungesën e një mobilizimi social përballë krizës. Ata habiten gjithashtu nga mungesa e vullnetit të politikanëve për të vepruar në nivel kombëtar dhe europian, për të dalë nga kriza. Por kjo mungesë reagimi ka një shpjegim: fenomenet që po ndodhin janë shumë komplekse dhe të lidhura mes tyre, sa që sjellin në mënyrë të kuptueshme hutim dhe paaftësi orientimi edhe tek politikanët.

Shumë institucione financiare të ngarkuara me borxhe ose të frikësuara nga pamundësia e kthimit të tyre, kanë pushuar kreditimet. Diçka e ngjashme po ndodh edhe me disa qeveri europiane. Nga frika e humbjes së pushtetit, ato s’duan të marrin asnjë rrezik mbi vete. Edhe këto, ashtu si bankat, janë qeveri të paafta për të vepruar në mënyrë të vendosur dhe të guximshme për daljen nga kriza, si në nivelin kombëtar, ashtu edhe në atë europian e botëror.

Me gjithë paralajmërimet e përsëritura, Bashkimi ekonomik dhe monetar është përplasur tashmë me një ajsberg në mes të natës. I papërgatitur për t’u përballur me kriza të këtij lloji, anija po fut ujë nga të gjitha anët. Në këtë ambient të dominuar nga amullia, presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, duket si drejtuesi i orkestrës së famshme të Titanikut, që po mbytet ngadalë. Shkojmë që shkojmë drejt katastrofës, të paktën ta bëjmë duke kënduar, duket sikur thotë ai dhe të tjerët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›