E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërfillja vazhdon

Njësoj si ikjet tjera, edhe largimin e Melihate Tërmkollit e sheh me shpërfillje dhe humor. Por, nuk beson se AAK mund ta rrezikojë të ardhmen e LDK’së. Nuk e ka ndërmend të kandidohet për Kryetar të Partisë. E konsideron korrekt qëndrimin e Fatmir Limajt, pas ndërhyrjes së EULEX’it. Beson që liderët institucionalë s’do ta lënë opinionin pa përgjigje. Eqrem Kryeziu, Nënkryetar i LDK’së, flet për Express.

Express: Z. Kryeziu, pse u largua Kryetarja e Forumit të Gruas, Melihate Tërmkolli?
E. Kryeziu: A paska shkuar Melihatja? Qysh more Melihatja? Shkoi a? Edhe tash, çka të them për Melihatën?

Express: A e ka njoftuar Kryesinë e LDK’së se po largohet nga partia?
E. Kryeziu: Po, vallahi. Na dha ultimatum, tha: burra, ose largohuni ju, ose unë shkova. Kështu ka bërë. Kjo është e vërtetë.

Express: Kujt i është drejtuar?
E. Kryeziu: Me shkrim na është drejtuar. Tha: Unë shkova, e shkoni edhe ju të gjithë. Thashë, mire po thua, po s’e di a mundemi.

Express: Ramush Haradinaj po vazhdon të marrë kuadro të LDK’së. A mund të bëhet AAK rrezik për të ardhmen tuaj?
E. Kryeziu: Jo, jo, nuk mund të shkojë deri aty sa ta shohim si rrezik.

Express: Por, në AAK po shkojnë edhe themelues të LDK’së...
E. Kryeziu: Jo bash themeluesit, mos t’i ekzagjerojmë gjërat. Atypari është. Është e vërtetë se një grup i grave, Edi Shukriu, Edita, Melihatja. Bile, këto të dyja hala më themeluese kanë qenë.

Express: Dhe asnjëra prej këtyre nuk është në LDK...
E. Kryeziu: Për fat të keq, shkuan. Bile, unë kam qarë me shami në dorë. Kanë qenë si kuadro të Prizrenit dhe më ka ardhur keq. Kjo është e vërtetë.

Express: A keni ju përgjegjësi që janë larguar këto kuadro nga LDK’ja?
E. Kryeziu: Kam përgjegjësi sepse nuk jam pajtuar me Melihaten. Fajin që nuk jam pajtuar me Melihatën, e marr për Zotin.

Express: Është paralajmëruar se në AAK mund të shkojnë të paktën tre anëtarë të Kryesisë së LDK’së... Si thoni ju?
E. Kryeziu: Mos më çudit... Athua mund të ndodhë edhe ky kiamet? Jo, këtë nuk e paskam bërë mend hiç.

LDD dhe AKR, një familje me ne

Express: Keni pasur një ofertë për koalicion nga LDD. Nexhat Daci priti gjatë se po i përgjigjeni, por ju nuk lëvizët dhe oferta u anulua...
E. Kryeziu: Personalisht kam menduar se është shumë korrekte të përgjigjemi me letër. Është e vërtetë se përgjigjja është përgjigje. Nuk po them përgjigje pozitive ose negative. Sidoqoftë, ne hyjmë në valën e këtyre zhvillimeve dhe madje po del që LDD i ka pasur do zhvillime parasysh. Ka pasur ndryshime, gjithashtu shumë interesante, në LDD.

Express: Cilët do të jenë hapat tuaj ndaj LDD’së?
E. Kryeziu: Nuk jam në rrjedha, por ata bajagi e kanë ndërruar lidershipin. Të shohim situatat e reja. Unë jam pak më konservativ dhe nuk po mund të përshtatem menjëherë. Ta shohim si po zhvillohen gjërat.

Express: Ka pasur shumë zhvillime brenda partive politike dhe lëvizje të deputetëve, dhe ju i keni marrë dy nga AKR’ja. A mund të pritet, për shembull, që edhe Adem Salihaj ose Tomë Hajdaraj të vijnë në LDK?
E. Kryeziu: Paj, ata janë familja jonë. Në daç AKR, në daç LDD, janë familja jonë. Në qoftë se dikush e dëgjon zërin e familjes, po, pse jo. Në këtë rast, po e keqpërdor këtë medium dhe po u bëj apel të mos kenë kurrfarë kompleksi që të vijnë në LDK. Në daç AKR’së, ato vajzat e mira që janë atje, në daç LDD’së, bash të një familjeje jemi.

Express: Po thoni se jeni të një familjeje, por nuk e pranuat ofertën e LDD’së...
E. Kryeziu: Oferta e LDD’së ka qenë si dy subjekte që bëjnë koalicion parazgjedhor. Kjo ishte pak pengesë për shkak se nuk ishte afati i koalicioneve parazgjedhore. Do rregulla ekzistojnë. Ndërsa, për të ardhur, ne absolutisht i presim me dashamirësinë më të madhe. E keni rastin e Berim Ramosajt.

Express: Ju keni pritur që LDD të shkrihet në LDK?
E. Kryeziu: Ajo do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme. Por, nuk mund ta diktojmë sjelljen e tyre. Natyrisht, apeli ynë ka qenë tepër publik, kohë më parë, për shkrirje. Se ashtu do të bëhej shumë më mirë.

Express: AAK, a është një familje me ju?
E. Kryeziu: AAK’ja ka pasur një pedigre pak më të çuditshme. Për shembull, për ata që janë e majta ekstreme aty kur u bë Aleanca. Por natyrisht, shyqyr që u nënshtrohen rregullave demokratike. Me thënë të drejtën, Aleanca ka një brumë tjetër.

Express: AAK nuk po i shmanget thirrjes në rugovizëm, ndërsa po i merr njerëzit më të afërt të ish Presidentit...
E. Kryeziu: E bukur kjo, a po? Kjo që po thoni, është shumë e mirë. Thënë të drejtën, përshtypjet janë të ndryshme. Sidoqoftë, unë do të thosha se përshtypjet nuk do të thotë se dalin bash ashtu. Por, Rugova është një thesar nacional dhe nuk mund t’ia marrim askujt të drejtën që të mos thirret në të. Ose, të manipulojë me të, sepse me njerëz të mëdhenj gjithmonë kështu ndodh, manipulohen, kanë ithtarë seriozë dhe të devotshëm.

Express: Dëshironi të thoni se AAK po manipulon me rugovizëm?
E. Kryeziu: Atë do ta tregojë koha. Unë nuk jam gjykatës. Njëmend unë jam djalë i mirë, por jo aq sa me qenë profet që ta di se çka do të bëhet me këto thirrje. Parimisht po flas se gjithmonë ndodh edhe manipulimi me personalitetet e mëdha.

Express: Ky vit është paralajmëruar se do të jetë vit i zgjedhjeve në LDK. A do t’i hyni garës për kreun e partisë?
E. Kryeziu: Ne jemi duke u përgatitur për Këshillin e Përgjithshëm dhe aty pak a shumë mund të shihen këto çështje. Opinionet e mia personale, për fat të keq, pasi jam njëfarë lloj faktori, nuk po mund t’i them publikisht qëndrimet e mia. Cilido opsion që i përshtatet LDK’së, unë jam në gjendje ta pranoj.

Express: A do të jeni kandidat për Kryetar të LDK’së?
E. Kryeziu: Krejt ata dashamirë që dëshirojnë të bëhen Kryetar, e kanë lehtë për mua, sepse nuk kam kurrfarë ambiciesh. Më vjen mirë që shqiptarët po kanë ambicie dhe po duhet gëzuar ngapak.

Qëndrim korrekt përballë EULEX’it

Express: Si e komentoni ndërhyrjen e EULEX’it në Ministrinë e Fatmir Limajt?
E. Kryeziu: Në qoftë se Limaj ka thënë se është në dispozicion të veprimit të ligjit, unë them se ky ka qenë një qëndrim korrekt. Praktikisht, edhe unë them që ne absolutisht jemi në dispozicion për veprimin e ligjit. Në qoftë se lihet kjo përshtypje në opinionin kosovar, që duhet, lypset dhe është shumë e nevojshme.

Express: Megjithëkëtë, a është dashur të japë dorëheqje Fatmir Limaj, pas aksionit të EULEX’it?
E. Kryeziu: Këto janë çështje për vlerësime morale. E kam thënë shumë më herët se për kategori morale është problem unë të mbaj leksione. Asnjëri prej nesh. Është çështje e Limajt, ose e Kryeministrit Thaçi, se si e trajton, dhe çka është publikisht morale, e çka nuk është.

Express: Pas këtij aksioni të EULEX’it, nuk pat asnjë deklaratë nga Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari. Si e vlerësoni ju këtë heshtje institucionale?
E. Kryeziu: Është herët dhe nuk ma merr mendja që mbeten pa një përgjigje. Në politikë gjithmonë lypset një kohë, edhe pse njerëzve u ngutet, për shembull juve, madje edhe mua. Por, është normale me pasë një kohë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›