Parlamenti Europian vendos heqjen e Murit të Vizave për shqiptarët

Raportuesja për vizat në Parlamentin Europian Tanja Fajon, harton projekt-rezolutën, e cila e heq Shqipërinë nga Aneksi I i listës së vendeve që udhëtojnë në Shengen me detyrimin e pajisjes me viza, tek Aneksi II i atyre vendeve që janë të përjashtuara nga ky detyrim
Raportuesja për vizat në Parlamentin Europian Tanja Fajon ka përpiluar projekt-rezolutën mbi propozimin legjislativ të Komisionit për të transferuar dy vendet e rajonit nga Aneksi I, që i liston ato vende ku shtetasit detyrohen të kenë një vizë për të kaluar kufirin e vendeve anëtare, në Aneksin II, që përmban listën e vendeve të treta që përjashtohen nga ky detyrim. “Bashkimi Europian ka përgjegjësinë politike për ta përfunduar këtë proces. është paradoksale që pas më shumë se 20 vitesh nga rënia e Murit të Berlinit, ne ende kemi “murin e vizave” ndaj fqinjëve tanë të drejtpërdrejtë”, thuhet në draftin e hartuar nga Fajon. Në notën shpjeguese, europarlamentarja bën thirrje për trajtimin e procesit liberalizues si “çështje urgjente”, në bazë të angazhimit të përbashkët të shprehur nga Këshilli dhe Parlamenti vitin e kaluar.
“Liberalizimi i vizave ka një impakt të rëndësishëm psikologjik në mendjen e njerëzve. Dhe këtu nuk flasim për politikanet, biznesmenët apo njerëz me para. Ata kanë mënyrat e tyre për të udhëtuar jashtë vendit. Ne jemi të shqetësuar për studentët dhe ata njerëz që duhet të mbajnë radhën, në rreshta të gjatë, përpara konsullatave”, u shpreh deputetja Fajon.
Drafti kërkon që ligjvënësit europianë të ndërmarrin gjithë hapat e nevojshëm për miratimin e shpejtë të propozimit të Komisionit.
“Një garanci që Bashkimi Europian do të lëshojë regjimin e lirë të vizave ndaj të dy vendeve, veçanërisht ndaj Bosnje-Hercegovinës, në fillim të vjeshtës 2010, do të ulte risqet për një paqëndrueshmëri më të madhe etnike e politike, forcon bashkëpunimin ekonomik e politik në rajon dhe rrit mbështetjen popullore për BE-në dhe perspektivën e integrimit europian, zgjeron horizontin e njerëzve dhe frenon forcat ekstremiste dhe antieuropiane”, thotë ajo.
Një vend të posaçëm, në draft-rezolutën mbi heqjen e vizave ndaj Shqipërisë dhe Bosnjës, zë edhe Kosova. Në të kërkohet që Parlamenti t’i bëjë presion Komisionit dhe Këshillit për të gjetur mënyrën për liberalizimin e vizave ndaj qytetarëve të saj, duke respektuar statusin e Kosovës dhe diferencat mes vendeve anëtare mbi deklaratën e pavarësisë. “Kosova mbetet një shqetësim serioz. është e vetmja pjesë e Ballkanit Perëndimor, e cila lihet tërësisht jashtë procesit të liberalizimit të vizave, e nuk është parashikuar as edhe një perspektivë bisedimesh. Kjo shkaktohet natyrisht nga ndasitë mes vendeve anëtare për njohjen e pavarësisë. Kompleksiteti politik i këtij problemi është i kuptueshëm, por qytetarët e Kosovës nuk mund të lihen në një vrimë të zezë të krijuar nga këto mosmarrëveshje”, tha Fajon.
Në draft theksohet dëshira që procesi të vijojë shpejt, pa pengesa, dhe të miratohet që me leximin e parë nga Parlamenti Europian.
Heqja e regjimit të vizave vlerësohet se do të rrisë cilësinë e jetesës për qytetarët dhe do të nxisë qeveritë, institucionet shtetërore dhe politikanët që të vijojnë përpjekjet mbi reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE.
Kalendari për liberalizimin e vizave
Pritet që në Shtator të kenë mbaruar procedurat teknike të miratimit në PE dhe çështja të kalojë për vendimin përfundimtar në Këshillin e Ministrave të BE-së.
Rreth 20 ditë pas këtij vendimi, hyn në Fletoren Zyrtare dhe Shqiptarët do të mund të udhëtojnë të lirë pa viza menjëherë pas këtij hapi.
Të gjitha të dhënat flasin për mbledhjen më të mundshme në muajin Tetor 2010 dhe kjo do të thotë se jo më vonë se fundi i atij muaji, vizat hiqen zyrtarisht.