E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lacio dhe Napoli përfitojnë nga humbja e Milanit, Juventusi jo

Suksesi i marrë “me thonj” (3-2) përballë Udinezes në javën e 17-të e ngjiti Lacion në vendin e dytë, tashmë vetëm tri pikë larg Milanit kryesues. Vendasit nga kryeqyteti e panë veten në epërsi sa hap e mbyll sytë: ende pa kaluar minuta e parë, braziliani Hernanez kaloi përpara skuadrën e Edi Rejës. Di Natale, Isla dhe Armero çuan dëm raste të njëpasnjëshme për të baraspeshuar menjëherë rezultatin, ndërkohë që spektakli i golave erdhi në pjesën e dytë. Në të 50-n Sançez shënoi golin e barazimit, dy minuta më pas Biava kaloi sërish në epërsi Lacion, ndërsa në minutën e 61-të Denis riktheu baraspeshën. Dy minuta nga fundi i kohës së rregullt, pas një goditjeje nga këndi, mbrojtësi Zapata dërgoi gabimisht topin në portën e vet. “Olimpico” shpërtheu në festë, Lacio rimori vendin e dytë me 33 pikë, tri më pak se Milani që u mund dy net më parë nga Roma. Ndërsa nga ana tjetër, Juventusit i shpëtoi fitorja në minutën e fundit përballë Kievos. Në “Bentegodi” të Veronës, Juventusi gjeti epërsinë në minutën e 31-të, falë supergolit të Kualjarelës. Sulmuesi italian çoi topin në këndin e portës kundërshtare, pas një roveshate spektakolare nga brenda zonës. Para epërsisë së torinezëve, vendasit humbën një rast të artë, por Markolini u tregua i pasaktë nga pika e penalltisë. Kur mendohej se sfida do të përfundonte me triumfin e “Zonjës së Vjetër”, kapiteni i Kievos, Serxho Pelisier, realizoi golin e barazimit, pak para se gjyqtari të fishkëllente për të fundit herë. Kievo dhe Juventusi kështu ndanë nga një pikë, që pak u shërben miqve. Nëse për Juven ekstremi i ndeshjes ishte fatal, e kundërta mund të thuhet për Napolin. Përballë Leçes, ekipi i Macarrit i falet si përherë Edison Kavanit, autor i fitores minimale 1-0 në minutën e fundit. Ky sukses e ngjit formacionin e Valter Maxarrit sërish në vendin e dytë me 33 pikë (aq sa ka edhe Lacio), tri më pak se Milani kryesues. Rikthehet te fitorja Katania pas më se një muaji, duke kaluar me sukses 1-0 Breshian në “Masimino”. Edhe një herë vendimtar ishte Maksi Lopez, me golin e realizuar në fundin e pjesës së parë. Nuk shkon më tepër se barazimi Palermo, që u ndal (1-1) në fushën e Barit të vendit të fundit. Sicilianët gjetën epërsinë me sllovenin Iliçiç, por u ndëshkuan nga një penallti e shndërruar në gol nga Masielo. Në “Tardini”, Parma dhe Bolonja e mbyllën pa gola përballjen emocionuese.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›