Kolegji rrëzon ankimimet, KQZ ndan mandatet

Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje ankimimin e PS-së edhe për Tiranën
Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë rrëzoi dje kërkesën ankimore të paraqitur nga Partia Socialiste që kundërshton vendimin e 6 KZAZ-ve në Qarkun Tiranë, me motivacionin si "të pabazuar në prova dhe ligj". Pas dëgjimit të kërkesë padisë nga përfaqësuesit ligjorë të PS-së, trupa gjyqësore, duke u mbështetur në dispozitat e Kodit Zgjedhor, neni 158, vendosi rrëzimin e ankesës si "të pabazuar në prova dhe ligj", duke lënë në këtë mënyrë në fuqi vendimin e KQZ-së për qarkun e Tiranës. Sipas rezultateve të deritanishme të KQZ-së, në zgjedhjet e 28 qershorit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, koalicioni "Aleanca e ndryshimit" ka fituar 16 mandate, koalicioni "Bashkimi për ndryshim", 15 mandate dhe "Aleanca Socialiste për Integrim" 1 mandat.
Rrëzohen ankimimet edhe ër Shkodrën
Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, rrëzoi të dje ankimimet e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë Demokristiane që kundërshtojnë vendimet e KQZ-së, për rezultatet në disa KZAZ të Qarkut Shkodër, duke i konsideruar si "të pambështetura në prova dhe ligj".
Ky vendim i Kolegjit lë në fuqi vendimin e Komisionit Zgjedhor për rezultatet në zonën zgjedhore të Qarkut Shkodër.
Një ditë më parë trupa gjyqësore e Kolegjit rrëzoi ankesën e PD-së dhe të PDI-së për Qarkun e Fierit, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së, të marrë më 13 Korrik, siaps ët cilit, PD ka fituar 7 mandate dhe PS 4 mandate.
KQZ shpall edhe mandatet e Durrësit - PD 7, PS 5 dhe LSI 1 deputet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje vendimin për shpërndarjen e mandateve të deputetëve për Qarkun e Durrësit.
Një ditë pas mbylljes së shqyrtimit të ankimimeve për Qarkun e Durrësit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, Komisioni vendosi ndarjen e mandateve dhe shpalljen e deputetëve fitues për këtë zonë zgjedhore.
Vendimi i miratuar ditën e djeshme nga KQZ përcakton ndarjen e 13 mandateve për Qarkun Durrës; 7 mandate për koalicionin "Aleanca e Ndryshimit", të kryesuar nga Partia Demokratike, 5 mandate për koalicionin "Bashkimi për Ndryshim", të drejtuar nga Partia Socialiste dhe 1 mandat për koalicionin "Aleanca Socialiste për Integrim", të udhëhequr nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Sipas vendimit të djeshëm, KQZ shpalli kandidatë fitues nga lista shumë emërore e PD-së për qarkun Durrës, Ferdinand Xhaferri, Albana Vokshi, Gazmend Oketa, Ylli Lama, Osman Metalla, Eduard Halimi dhe Igli Cara.
Ndërsa kandidatë fitues nga lista shumë emërore e PS-së për këtë qark janë, Blendi Klosi, Rudina Seseri, Hazir Gashi, Gazmir Bizhga dhe Klodiana Spahiu.
Kandidati fitues i koalicionit "Aleanca Socialiste për Integrim" u shpall Lefter Koka.
Durrësi është qarku i nëntë nga 12 të tillë, ku KQZ përfundoi procesin e mandatimeve, pas Vlorës, Dibrës, Gjirokastrës, Kukësit, Korçës, Elbasanit, Lezhës dhe Beratit. Me 13 deputetët e rinj të mandatuar dje nga KQZ shkon në 81 numri i të mandatuarve zyrtarisht nga Komisioni Zgjedhor, nga 140 deputetë që ka parlamenti shqiptar.
...