Europianët besojnë tek politika e të djathtëve
Bien socialistët edhe në Spanjë. Madje kanë arritur në minimumin e tyre historik me 30% dhe ndoshta mund të jenë akoma dhe më keq se viti 2000, kur me Joakin Almunia arritën të mernin veçse 125 deputetë. Fillon pra, pas më shumë se shtatë vjetësh koha e Partisë Popullore të Mariano Rajoy i cili ka fituar bindshëm zgjedhjet politike, me 44,55% të votave dhe me 166 vende në kongresin e deputetëve. Partia Popullore ka marrë maksimumin e votave në të gjitha zgjedhjet që janë kryer deri më sot duke tejkaluar edhe rezultatin më të mirë me 183 vende të arritur prej Hoze Maria Aznar në vitin 2000. Kryeministri i ardhshëm ka filluar përnjëherë “punën” duke deklaruar se shumë shpejt do të vihet në kontakt me presidentët e rajoneve të ndryshme në Spanjë për të folur dhe për të marrë masat për krizën ekonomike të cilës i ka deklaruar luftë. Janë pikerisht këto fjalët e tij sepse është i vetëdijshëm se për të dalë nga kriza ka vështirësi duke filluar pikërisht nga papunësia që ka arritur nivele të larta, rreth 21,5%. «Jemi përpara një momenti vendimtar për Spanjën. Qeveria e re duhet të mënaxhojë konjukturën më delikate që vendi ka njohur në 30 vjetët e fundit. Përpara nesh kemi një detyrë të stëmadhe: nuk do të ketë mrekullira. Kërkoj t’u rijap spanjollëve krenarinë» - ka nënvizur Rajoy përballë militantëve që festonin dhe thërrisnin «Rroftë Spanja». Ndërkaq ministri zëdhënës i qeverisë Zapatero, Hoze Blanko ka pranuar se Partia Popullore ka fituar zgjedhjet ndërsa edhe kundërshtari direkt Alfredo Rubalcaba ka pranuar se «kemi humbur këto zgjedhje» madje i ka telefonuar Rajoy për fitoren. «Është rezultati më i mirë i historisë sonë. Sot kemi një gëzim të jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi po aq të jashtëzakonshme» -ka shtuar edhe numri dy i partisë Popullore. Ndërkaq Rajoy ka marrë telefonata të shumta nga liderët europianë, nga presidenti francez Nikola Sarkozy, Herman van Rompuy dhe Manual Barroso. Një triumf i vërtetë për 56 – vjeçarin Rajoy. Ndoshta Partia Popullore mund të kishte fituar edhe në vitin 2004, kur pas atentatit të 11 marsit të 2004 që ndodhi në Madrid dhe kur Partia Popullore ishte për të fituar zgjedhjet, ky atentat ju faturua Etas dhe jo fondamentalistëve islamikë. Në zgjedhje triumfuan socialistët me 164 vende kundrejt 148 të populorëve. Por tani gjithçka është ndryshe. Mariano Rajoy, lider i qendrës së djathtë ishte zgjedhur edhe në 2004 si pasues i Aznarit dhe vazhdoi të këmbëngulte në politikë deri në momentin që fitoi. I lindur në vitin 1955 në Santiago de Kampostela, nga njw familje avokatësh, deputet rajonal dhe më vonë deputet kombëtar ka qenw ministër në qeverinë e parë të Aznarit në vitin 1966, në fillim si ministër i Funksionit Publik, pastaj kaloi në ministrinë e Kulturës, në atë të Arsimit dhe në fund në atë të Brendshme. Ishte pikërisht ministër i Brendshëm kur anija “Prestige” u përplas në brigjet e Galicias duke hedhur në det 80 mijë ton naftë. Asokohe ishte edhe Zv/president i qeverisë dhe zëdhënës i saj dhe pak më vonë u zgjodh nga Aznar si pasues i tij. Në këto vitet e fundit ka kërkuar të japë një imazh shumë të moderuar të partisë së tij që në Spanjë përmbledh të gjithë të djathtën madje edhe tw djathtwn ekstreme. Tashmë 5 milionë të papunët e Spanjës e kanë votuar dhe ndoshta as ai vetë nuk e mendonte se do të arrinte një rezultat të tillë. Përgjatë fushtaës zgjedhore ka përdorur termat dialog, ndryshim, bashkim, shpresë pa folur kurrë për masa shtrënguese apo shkurtime. Flitet se në Europë nuk e njohin akoma, flitet se po studjon anglishten dhe në të njëjtën kohë se partia e tij është shumë e lidhur me partinë e Angela Merkel – it. Programi i tij nuk është shumë i qartë por sidoqoftë wshtw shprehur se nuk do të prekë pesnionet por që gjithsesi do të respektojë kërkesat e Bashkimit Europian duke kërkuar të zvogëlojë debinë në 4,4% përkundrejt Gdp të Spanjës. Gjithsesi për të nuk ka shumë kohë. As për Spanjën. Emërimet e ministrave do të jenë të shpejtë për të filluar nga puna. Punë të mbarë Mariano Rajoy!
...