E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skuthëria e Ramës me aleatët

22-11-2011 / Redaksionale

Në rrjetin social “Twitter”, aty ku Edi Rama qesëndis politikën me batuta të fajshme, ka përshëndetur dhe tryezën e përbashkët kryetarë të dhjetë partive të vogla parlamentare dhe jo-parlamentare të të dy krahëve politikë, për Reformën Zgjedhore. Kësisoj nuk ka një dalje zyrtare, me një konferencë për shtyp të një eksponenti të lartë të Partisë Socialiste, për të përshëndetur seriozisht tryezën, por një përshëndetje on-line, që ngjan më shumë një tallje cinike. Forma është jo serioze. E papërshtatshme për nga forma dhe “normale” nga përmbajtja.
Kuptohet vetiu që Kodi aktual zgjedhor, i hartuar dhe i miratuar pas një marrëveshjeje PD-PS (por të ideuar nga Edi Rama me gjithë ndryshimet Kushtetuese) ka qenë jo fort i favorshëm për partitë me ndikim modest elektoral. Afërmendsh këto parti të vogla ose kanë mbetur jashtë parlamentit, ose përfaqësohen atje me kryetarin e tyre. Sidozot synimi dhe qëllimi i Ramës në vitin 2008 ka qenë neutralizimi elektoral i Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës, e cila votohet nga qytetarë kryesisht me bindje të majta, dhe përbënte një problem për oreks e gjithëpushtetshëm të kryetarit të PS. 
E çuditshme, por e vërtetë. Si tre vjet më parë dhe sot, Edi Rama përsërit: “angazhimin e PS për një reformë gjithëpërfshirëse”. Mirëpo sa gjithëpërfshirëse ishte Kodi i propozuar nga Rama dhe i miratuar, si pasojë e “lëshimit” të kryeministri Berisha për një konsensus të dy partive të mëdha, është krejt e kuptueshme. Forca politike të cila kanë qenë prezent në Kuvend, sot janë jashtë, për arsye të ngritjes së pragut elektoral. Dhe votat e këtyre partive kanë shkuar në hambarin e partive të mëdha.
Sido që të shkojë procesi i reformimit të kodit zgjedhor, një gjë e është e rëndësishme; dy partitë e mëdha i trajtojnë partitë e vogla aleate në mënyra të ndryshe. Po ta shikosh me vëmendje konstaton një fakt të pamohueshëm, që kreu i maxhorancës, kryeministri Berisha, ka pasur gjithmonë një raport luajal me aleatët e vegjël, çka dëshmohet dhe në ndarjen e pushtetit. Kurse Edi Rama, kreu i opozitës, ka një raport prej skuthi me aleatët e vegjël.  Me skuthëri Rama jo vetëm i mban larg vendimmarrjes së “opozitës së bashkuar”, por i keqtrajton tinëzisht në forma të ndryshme. Gjatë agjendës konfliktuale 2 vjeçare, kur Rama e kishte lakun në fyt, partitë e vogla u thirrën haptazi nën armë prej kreut të PS-së. Dhe partitë e vogla dhanë kontributin e tyre nën armatën e opozitës socialiste. Mirëpo kur u përmbyll konsolidimi i Ramës brenda partisë me kauzën e “votës transparente”, dhe u shpall “kurs të ri” i bashkëpunimit për hir të integrimit në BE, jashtë loje dolën aleatët të konsideruar radikalë. Fakti që Milo dhe Dule janë larguar nga tryeza e opozitës fakton papajtueshmërinë e Ramës me partitë e vogla aleate.
Është thënë shumë herë, që Edi Rama është i pavëmendshëm në marrëdhëniet me aleatët, nënvleftëson kontaktet, i bën ato kur e ka litarin në fyt dhe nuk i sheh si një politikë të posaçme marrëdhënies të domosdoshme dhe të institucionalizuara. Deri më sot Rama i ka trajtuar aleatët si garnitura politike, thjesht aleatët e radhës për zgjedhjet e radhës, pa qenë partnerë seriozë. Gjatë 6 viteve që ka drejtuar PS-në, Rama nuk i ka dhënë partive të së majtës dhe atyre aleate, atë që meritojnë realisht.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›