TË MOS E BËJMË KURBAN TË ARDHMEN
Daut Gumeni
I
Ndoshta kjo do të ishte thirrja që del nga rrëfimi i autorit dhe të mbetet në mendje, pasi ke mbaruar së lexuari librin KURBAN të Edi Ramës. Një thirrje që buron nga shqetësimet qytetare, që përshkojnë të gjithë librin, nga faqja e parë tek e fundit.. Një rrëfim i vrullshëm, që të rrëmben me ritmin e me gjuhën e bukur shqipe, në një kohë kur publicistika jonë është bërë një lloj gare për përdorimin e fjalë të huaja në emër të fshehjes së paaftësisë. Për të mos zënë ngoje pastaj atë gjuhën çyryke të politikanëve apo të të punësuarve në politikën tonë të tranzicionit , gjuhën që , më tepër se shqip, është një lloj sallate pa kripë e pa kuptim me fjalë neolatine.
Botimi i librit KURBAN të Edi Ramës është vërtet një gëzim i bukur për lexuesit e publicistikës shqipe, në një kohë me gëzime të pakura e me halle të shtuara e të rënduara. Se është vërtet një gëzim i bukur të ndjekësh gurgullimën e rrëmbyer të shqipes së pastër të Edi Ramës. Një shqipe që, edhe kur fraza derdhet pa mbarim nëpër rrëpirat e frikshme të dhimbjeve të ketij vendi e të këtij populli, popull me një jetë të tërë që ha të zotët, të cilët do ti dilnin denjësisht për zot dhe mban në shpinë skotën e të pazotëve, që kanë si zotësi të vetme të majmen e të gazuviten me ahet e popullit të varfër e të duruar deri në nënshtrim, një durim deri në nënshtrim, që duket herë-herë sikur e paska nëmë që në lindje, prapë shqipja e gjallë e Edi Ramës nuk e humbet kthjelltësinë e nuk turbullohet, po mbetet tërë udhës si ato ujëvarat e bardha , që këndojnë për jetën edhe kur humbasin honeve të thella të maleve tona.
Në librin KURBAN të Edi Ramës, publicistika dhe ligjërimi politik shqiptar ka gjetur një mjeshtër, që është bërë mjeshtër nga dashuria që ka për gjuhën tonë të madhe , për shqipen tonë të lashtë sa bota, për gjuhën tonë të rrallë që , në penat mjeshtërore, duket sikur bën tok vezullimet e diamanteve të thellave të dheut me dritën e diellit të mëngjesit.. Shqipja e librit KURBAN gurgullon me një ritëm marramendës, që përbën jo vetëm një arritje të mëtejshme publicistike të autorit, por edhe një gëzim të befasishëm për të gjithë ata që e duan të kthjellët e gjithnjë të re e të fuqishme gjuhën tonë të pashoqe.
Gjuha e librit KURBAN të Edi Ramës është befasuese edhe për dëshminë e aftësisë së autorit për tu dhënë të drejtën e qytetarisë fjalëve të rralla nga përdorimi e nga bukuria, si dhe për të krijuar ai vetë fjalë të reja, duke shfrytëzuar me mjeshtëri aftësinë e shqipes për të krijuar fjalë të përngjitura. Janë plot 43 fjalë të tilla në librin KURBAN të Edi Ramës dhe nuk më duken pak. Do të mjaftonin vetëm disa prej tyre, për të kuptuar dashurinë e Edi Ramës për gjuhën shqipe dhe aftësinë e tij të rrallë në krijimin e fjalëve të reja.
Fjalë të tilla si: gojëpashmagje, të tymeflakta, (i,e) dallandërdisur, papagallim, rrakafolës, shkarrashkrues,(i, e) yjshëm, (i, e ) ububushëm, lehaqen, (i,e) mosozotshëm, llafangjosje, tallagjare për të dhënë këtu vetëm pak prej tyre – apo shprehje të tilla të goditura si:hajvan noterik; llafet lumë e llumë; shqipe e mësuar me vesh, etj., janë një dëshmi e gjallë dhe fort e rrallë e fuqisë shprehëse aq mahnitëse të gjuhës shqipe, kur autori e zotëron magjinë e saj për të mishëruar në fjalë shqetësimet më të rënda qytetare dhe drithmat më të holla të shpirtit të njeriut. Këtë dëshmi na e jep shqipja e Edi Ramës në librin e tij KURBAN
II
Por nuk beson dot njeri se arsyeja e sulmeve mbyllasysi, me të cilat është pritur libri i ri i Edi Ramës, është gjuha e autorit. Madje nuk është aq e besueshme as që arsyeja e atyre sulmeve të mehmurëve dhe të jeniçerëve të pushtetit (ndoshta dhe pa e lexuar librin fare) është fakti që Edi Rama i dha të drejtë publicistikës për ta marrë inat, ngaqë u hodh në politikë dhe është sot kryetari i partisë më të madhe opozitare. As kjo nuk është arsye e mjaftueshme për të sulmuar një libër, ende pa dalë në qarkullim. Arsyeja e vërtetë e sulmeve të verbëra ndaj librit KURBAN,duket se nuk është as autori dhe pozicioni i tij politik aktual dhe ca më pak është gjuha shqipe, që rrjedh aq e kthjellët në të gjithë rrëfimin prej 444 faqesh.
Arsyeja e vërtetë e tërbimit që ka shpërthyer kundër një libri, ndërkohë që çdo libër në këtë botën tonë duhet pritur si një lindje e re, një mik më shumë për ata që e kanë mik librin, apo një mënyrë argëtimi më tepër për këdo që nuk e zë libri si mjetet e udhëtimit siç do të thoshte me finesë një gazetar i shkathët i shtypit shqiptar të ditëve tona.
Arsyeja e vërtetë pse sulmohet edhe pa e lexuar fare libri KURBAN i Edi Ramës mund të jetë thirrja që ngrihet nga të gjitha faqet e rrefimit të autorit: TË MOS E BËJMË MË KURBAN TË ARDHMEN!- siç kemi mbi 100 vjet që bëjmë kurban të sotmen për të fshehur më thellë të shkuarën
Kush e lexon KURBAN-in e Edi Ramës e nuk mahnitet me përshkrimin e 48 qyteteve dhe qytezave të këtij vendi si personazhe të gjallë njerëzorë, me tiparet e tyre të veçanta aq bukur e thukët të skalitura me pak fjalë, si piktura të gjalla, me vuajtjet dhe dhimbjet e tyre, që autori i ndien si vuajtjet e dhimbjet e veta? Ato portrete qyetetesh e qytezash shqiptare të kohës së tranzicionit tonë të shpifur sa dhe të stisur, duken më tepër si një cohë e thurur me inde fjalësh dhe me mjetë ngjyrash. Dhe portretizime të asaj lartësie nuk mund të arrihen nga një neri që nuk e do vendin e tij gjer në dhimbje. Nuk mund të shkruhen për Tiranën ato faqe aq të ngjashme me një poemë dhimbjeje, dashurie e shprese për të ardhmen e saj, të projektuar me ngjyra ylberi në vizionin e autorit, pa e dashuruar me gjithë shpirt atë qytet si qenie të gjallë.
Nuk e dallon dot lexuesi i librit se cilat janë ditët me dhimbjet më të rënda të autorit të rrëfimeve në librin KURBAN. Se nuk dallohet mirë se ku është më e rëndë dhimbja e Eadi Ramës kur përgjon djalin e vetëm në luftën e tij me vdekjen, apo kur e gjen djalin dhe nënën të llahtarisur nga përbaltjet e neveritshme të një parapolitike pa asnjë parim e pa asnjë normë njerëzore Se nuk i dhemb më pak Edi Ramës as shkretimi i vendit të tij nga një varfëri më tepër e programuar se e merituar, më tepër e qëllimshme se e natyrshme. Se në librin e rrëfimeve të Edi Ramës dalin përpara syve të lexuesit dy pamje, njëlloj të gjalla ,por krejtësisht të ndryshme nga njërat-tjetra Shqipëria e katandisur për lumë nga tranzicioni i kontrolluar prej mbetjeve të diktaturës dhe Shqipëria që duam të gjithë tok me autorin e rrëfimeve. Shqipëria si gjithë Europa. . Dalin përballë njera-tjetrës njëlloj të gjalla në sytë e lexuesit të KURBAN-it dy botë të kundërta bota e sunduar nga një skotë makute, që varfëron përditë e më keq një popull të tërë, duke shpërdoruar pasuritë e vendit në emër të pasurimit personal, bota që tallet me popullin , me lirinë e me demokracinë si me ca parulla bajate borgjeze dhe bota e ëndrrave për ta bërë dhe Shqipërinë si gjithë Europa, bota e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, bota e zgjedhjeve të lira që e bëjnë popullin Sovran e jo të sunduar nga të sënurët e tij në emër të parullave për sovranin, parulla me të cilat gazuviten e shkelin përditë e më keq të drejtat dhe liritë e njeriut sundimtarët e rinj, të caktuar në role qysh në ditët e rënies së diktaturës së kabur nga krimet e saj kundër po këtij populli, që ende beson se dhe ata që i vjedhin votën, që i vjedhin pronën e që i vjedhin të ardhmen e fëmijëve, mund të bëhen dikur atdhedashës e demokratë(!)
Këtë nuk e beson Edi Rama dhe na e thotë shkoqur në faqet e librit të tij KURBAN. Na e thotë po aq shkoqur sa na e thotë sot dhe Sheshi Skënderbej, i kthyer me ngut në një lloj gallosheje (të paguar nga populli me miliona euro) për këmbën e rëndë të një pushteti të aftë për të grabitur votën e popullit edhe faqe tërë botës.