E Diel, 1 Nëntor 2026

“Europianët” shqiptarë nisin stërvitjetTirana, Vllaznia, Dinamo e Flamurtari nisin para kohe përgatitjet

Katër skuadrat shqiptare, që marrin pjesë në kompeticionet evropiane, Tirana (Liga e Kampioneve) dhe Vllaznia, Dinamo e Flamurtari (të tre në Ligën e Europës) nisën përgatitjet para ballafaqimeve ndërkombëtare. Vllaznia e vendit të dytë dhe Dinamo e vendit të tretë në kampionatin shqiptar do të luajnë që nga raundi i parë i këtij kompeticioni, ndërsa fituesja e Kupës së Shqipërisë, Flamurtari, do ta nisë aventurën e saj nga raundi i dytë. Dinamo ka gati një javë që ka nisur stërvitjet nën urdhrat e Shkëlqim Muçës, ndërsa Flamurtari nën atë të Eqerem Memushit.

TIRANA

Kampionia e Shqipërisë, Tirana nisi sot stërvitjen e saj të parë për sezonin 2009-2010, e që përkon edhe me përgatitjet për Ligën e Kampioneve, ku 24-herë kampionët marrin pjesë direkt në turin e dytë kualifikues. Rreth 20 lojtarë ishin nën urdhrat e teknikut Alban Tafaj dhe përgatitësit atletik Rauf Dimraj (njëherësh edhe shefi i klubit), ku ishin thuajse të gjithë titullarët e kampionatit të kaluar, me përjashtim Ansi Agollit, Gjergji Muzakës, Bledar Devollit dhe dy lojtarëve të huaj, kroatit Toni Pezo dhe nigerianit Abraham Aleçenu. Te bardheblutë u vu re entuziazmi në ditën e parë, ndërsa kryedonatori Refik Halili, pohoi se brenda pak ditëve do të zbulohet edhe emri i trajnerit të ri.

VLLAZNIA

Vllaznia e drejtuar nga Hasan Lika do të nisë neser pjesën e parë të fazës përgatitore në kuadër të përgatitjeve për Ligën e Europës, të cilat do të kryen për dy javë në Pukë. Mbrojtësi malazias Zeljko Mrvaljevic (28 vjeç) është blerja e dytë sezonale e Vllaznisë, pas kosovarit Fitim Kasapi. Mrvaljevic vjen nga FC Petrovac, fituese e Kupës së Malit të zi dhe vendi i gjashtë në sezonin e kaluar në kampionatin malazez. Zeljko Mrvaljevic do të jetë futbollisi i tretë që do të veshë bluzën e Vllaznisë, pas Igor Radusinoviç (2 sezone: 2005-2006, 2006-2007; 43 ndeshje) dhe Nikola Vukçeviç (1 sezon: 2006-2007, 24 ndeshje, 2 gola). Fushaj ka nënshkruar edhe me titullarët Armir Grima, Safet Osja,  Vioresin Sinani dhe Amarildo Belisha. Vllaznia, Dinamo e Flamurtari do ta njohin kundërshtarin e saj, pas shortit që do të hidhet më 22 qershor, ndërkohë që ndeshjet e para do të luhen, më 2 dhe 9 korrik 2009.

TRAJNERËT

MARTINI
Laçi, kampioni i Kategorisë së Parë, që në sezonin 2009-2010 do të jetë pjesë e 12 skuadrave të Kategorisë Superiore, konfirmoi trajnerin shkodran Edi Martini në bankinën laçiane. Zyrtarizimi u bë nga presidenti Pashk Laska.

FORTUZI
Indrit Fortuzi, trajneri që i siguroi Skënderbeut rikthimin në Superligë, ende nuk e ka konfirmuar vazhdimin me skuadrën korçare, edhe pse presidenti Niko Peleshi e ka përzgjedhur si teknik ish-lojtarin e Tiranës.

E Hene, 15 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›