Europiani 2012, Shqipëria debuton në fushën e Rumanisë
Përfaqësuesja shqiptare e futbollit ka mësuar kalendarin e ndeshjeve në Grupin D eliminator të Euro 2012, evenimentit që do të zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni. Skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe do të debutojë në këtë aktivitet më 4 shtator të këtij viti në fushën e Rumanisë. Në këtë mënyrë, dëshira e drejtuesit të stolit kuqezi është plotësuar përgjysmë: në sfidën e parë ai kërkonte të përballej me një prej favoriteve të grupit (Francën, Rumaninë ose Bosnjën). Por, përpara takimit të mbajtur dje në Luksemburg, kroati 57-vjeçar, kishte këmbëngulur që Shqipëria ta luante ndeshjen e parë në “Qemal Stafa”. Pas miqësores së “Pavarësisë” në Kosovë, Kuzhe theksoi se ishte mjaft e rëndësishme që Kombëtarja jonë t’i niste kualifikueset me një rezultat pozitiv, i cili do të ishte më i thjeshtë për t’u arritur përpara tifozëve të skuadrës.
Ndeshja e parë në shtëpi për Shqipërinë do të jetë ajo e 8 shtatorit, kur kuqezinjtë do të përballen me ekipin më të dobët në grup, Luksemburgun. Kundërshtari i lehtë duket se është zgjedhur enkas, për të mos luajtur dy ndeshje të forta njëra pas tjetrës dhe për të marrë të paktën tri pikë, në mënyrë që morali i skuadrës të mbetet i lartë. Ndeshjet për vitin 2010 mbyllen me dy sfida mjaft të vështira, në Shqipëri kundër Bosnjë-Hercegovinës më 9 tetor dhe në Bjellorusi më 13 tetor. Edhe në këtë rast, logjika është e njëjtë: një ndeshje me një rival të fortë dhe një ndeshje relativisht më e lehtë në letër, edhe për faktin se bjellorusët cilësohen si rivalët direkt të kuqezinjve. Më tej, duke u bazuar te datat e përcaktuara nga UEFA, skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe do të zbresë në fushë në vitin 2011. Pas një pauze që zgjat më tepër se pesë muaj, më 26 mars 2011 Shqipëria do të presë në fushën e saj Bjellorusinë. Dy datat e ardhshme (30 mars dhe 4 qershor 2011), trajneri, presidenti i FSHF-së, Duka dhe sekretari Prodani i kanë zgjedhur pushim. Kjo do të sjellë një tjetër “pushim” të gjatë të kuqezinjve, të cilët do të ndjekin vetëm si spektatorë takimet e skuadrave të tjera të grupit. Kombëtarja zbret sërish në fushë më 8 qershor, këtë radhë për t’i kthyer vizitën Bosnjës.
Dueli i shumëpritur në Tiranë me Francën do të luhet vetëm më 3 shtator të vitit të ardhshëm. Kjo është edhe ndeshja më e “madhe” për skuadrën tonë në këto eliminatore, ndërsa publiku shqiptar do të ketë shansin të ndjekë nga afër yjet e “gjelave” si Riberi, Nasri, Gurkuf apo Benzema. Katër ditë më pas kuqezinjtë luajnë në Luksemburg, për një tjetër tri pikësh, që në letër duket formalitet. Dy sfidat e fundit eliminatore, më 8 tetor në “Stade de France” kundër francezëve dhe më 12 tetor 2011 në Tiranë kundër Rumanisë janë në dukje më të vështirat.
#