Loro Boriçi mikpret Shqipëri-Luksemburg?
Ndeshjen e parë që Shqipëria do të luajë në shtëpi, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2012 në Grupin D, duket se me shumë mundësi do ta luajë në stadiumin “Loro Boriçi”. Tashmë duket se gjeografia e ndeshjeve brenda të përfaqësues kuqezi do të nisë pikërisht nga Shkodra. Një gjë e tillë që duket se është më shumë se thjesht një hipotezë, ka nisur të qarkullojë menjëherë pas përcaktimit të kalendarit të ndeshjeve të Kombëtares sonë dje në Luksemburg, ku morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe trajneri kroat, Josip Kuzhe, së bashku me pjesën tjetër të përfaqësuesve të kundërshtarëve tanë në Grupin D. Shqipëria ndeshjen hapëse të këtyre eliminatoreve do të duhet ta luajë larg shtëpisë, në Bukuresht kundër Rumanisë më 4 shtator, ndërkohë që takimi i dytë 8 shtator ndaj Luksemburgut dhe i treti më 9 tetor do të jenë brenda. Këto janë tri takimet e vetme që Shqipërisë do të luajë më 2010. Sipas një burimi të besueshëm pranë drejtuesve kryesorë të FSHF-së, ndeshja e parë në shtëpi dhe ndoshta edhe e dyta, me shumë mundësi do të luhen në Shkodër. Kjo e detyruar edhe për një fakt jo pak të rëndësishëm: atë të rikonstruktimit apo prishjes së stadiumit së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, të planifikuar në projektet për të ardhmen sipas planit për bashkëpunimin mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ne rast se projekti do të ekzekutohet, atëherë “Loro Boriçi” mbetet i vetmi stadium shqiptar, i cili i përmbush kushtet e vëna nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të përfaqësueses.
#