E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarja e tokës lë pa strehë katër familje

Katër familje të një lagjeje në fshatin Zhapokikë të rrethit të Tepelenës kanë mbetur prej pesë ditësh pa strehë, pasi banesat e tyre janë shembur si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave në territorin ku ato ishin ndërtuar vite më parë. Sipas të dëmtuarve, shembja e këtyre shtëpive në fshatin Zhapokikë ka nisur gjashtë ditë më parë, pas reshjeve të shumta të shiut dhe dëborës që përfshinë rajonin jugor të vendit. Pothuajse i gjithë terreni në kodrën ku ishin ngritur katër banesat në këtë lagje rrëshqiti duke marrë me vete themelet, muret dhe orenditë e këtyre shtëpive. Gjatë 20 vjetëve të fundit rrëshqitja e dherave në këtë zonë që ndodhet shumë pranë me Sektorin C të ish-minierës së qymyrgurit të Memaliajt ka qenë mjaft problematike. Dy vjet më parë rrëshqitje masive dherash kanë dëmtuar dhe bllokuar rrugën automobilistike për në Buz e Maricaj. Harta e rrëshqitjes së tokës në këta 20 vjetët e fundit në Tepelenë përfshin një territor të gjerë në rreth pesë komuna, si komuna e Buzit, Krasit, Qesaratit, Qendër etj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›