E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europiani 2012, Shqipëria në Grupin D me gjelat e Francës

Short i vështirë për kuqezinjtë: Rumania, Bosnja e Bjellorusia mes rivalëve
Eliminatoret e Kombëtares shqiptare të futbollit, për Euro 2012 që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë kanë nisur zyrtarisht të dielën, me shortin e grupeve. Në Varshavë, kuqezinjtë kanë njohur kundërshtarët e ardhshëm të evenimentit më të rëndësishëm kontinental. Goglat nuk janë treguar aspak bujare me përfaqësuesen tonë, e cila ndodhej në vazon 5: Shqipëria do të luajë në Grupin D, me kundërshtarë mjaft të fortë, që e vështirësojnë misionin e Josip Kuzhe për ta ngritur skuadrën në klasifikimin europian dhe rrjedhimisht një vazo më lartë. Koka e grupit është Franca, një prej superfuqive europiane të futbollit. “Gjelat” shihn si favoritët absolutë për t’i mbyllur kualifikueset në vendin e parë, megjithatë asgjë nuk mund të shihet si e përfunduar. Kjo edhe për faktin se në Grupin D luajnë edhe Rumania, një prej skuadrave me traditë në rajonin e ballkanit, Bosnje-Hercegovina, që me brezin e artë të lojtarëve ishte fare pranë kualifikimit për në fazën finale të Botërorit 2010, por edhe Bjellorusia, një skuadër mjaft problematike. Përfaqësuesja më e dobët është Luksemburgu, e cila ndodhet në vendin e 124-t në renditjen e FIFA-s.
Asnjë prej kundërshtarëve nuk është i panjohur, madje Rumania, Bjellorusia dhe Luksemburgu kanë qenë në grupin e Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2008, kur skuadra drejtohej nga Oto Bariç. Rumunët janë skuadra më të cilën përfaqësuesja jonë është përballur më shumë nga pjesëmarrëset në Grupin D: plotë 13 ndeshje, ku shtatë janë miqësore (2 fitore, një barazim dhe 10 humbje). Takimi i fundit me ta, shkaktoi ndryshimin e drejtuesit të stolit kuqezi, ku pas humbjes 6-1 më 21 nëntor 2007, “Oto Maksimal” dha dorëheqjen e parevokueshme. Një tjetër statistikë aspak pozitive është edhe fakti se prej më shumë se gjashtë dekadash Shqipëria nuk arrin të regjistrojë një rezultat pozitiv përballë rumunëve. Përfaqësuesja jonë ka një barazim, përpara 61 vjetësh, në miqësoren e luajtur më 23 tetor 1949 në Bukuresht, ndërsa dy fitoret e vetme janë regjistruar në miqësoret e luajtura më 13 tetor 1946 në Tiranë dhe më 2 maj 1948 në Bukuresht. Në gjashtë takime eliminatore me rumunët, Shqipëria nuk ka arritur të marrë asnjë pikë.
Ndërkohë, me rivalët e tjera në grup, kuqezinjtë kanë dukshëm më pak përballje. Shqipëria është ndeshur dy herë me Francën, për eliminatoret e Euro 1992. Në sfidën e parë, të luajtur më 7 nëntor 1990 në Tiranë, “blutë” fituan 1-0, ndërsa në takimin e kthimit, të zhvilluar më 30 mars 1991, përfaqësuesja jonë u shkatërrua me rezultatin 5-0. Në atë periudhë, në krye të stolit të përfaqësueses transalpine ishte legjenda Mishel Platini, tashmë në rolin e presidentit të UEFA-s. Me Bjellorusinë kemi luajtur në eliminatoret e Euro 2008: pas barazimit 2-2 të arritur në Minsk më 2 shtator 2006 (takimi i parë në grup), më 17 nëntor 2007, Shqipëria u turpërua 4-2 në “Qemal Stafa”. Me Bosnje-Hercegovinën, përfaqësuesja jonë ka luajtur vetëm dy herë në miqësore: takimi i vitit 1995 në Tiranë u fitua 2-0 nga kuqezinjtë, ndërsa ndeshja e kthimit në Sarajevë, më 24 prill 1996 përfundoi në barazim pa gola. Së fundmi, me Luksemburgun, Kombëtarja jonë ka luajtur tri ndeshje: takimi i parë ka qenë miqësorja e luajtur në Hesperingen, në vitin 2002, ku loja u mbyll në barazim 0-0. Në eliminatoret e Euro 2008, Shqipëria ka marrë gjashtë pikë të lehta: pas fitores 2-0 në Tiranë, më 2 qershor 2007, katër ditë më pas kuqezinjtë fituan 3-0 në Luksemburg.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›