Eurosong, Juliana Pasha çon Shqipërinë në finale
Me një kompozim të Ardit Gjebresë, tekst të Pirro çakos, Juliana Pasha e ka kualifikuar Shqipërinë në finalen e Festivalit Evropian. Mbrëmë në Oslo të Norvegjisë u zhvillua mbrëmja e parë gjysmëfinale. Nën drejtimin e Nadia Hasnaoui, Erik Solbakken dhe Haddy Jatou N’Jie në skenën e Telenor Arena u ngjitën 17 vende konkurrente. E para që nisi garën ishte Moldavia, me këngën “Run Away”, për të vijuar me Rusinë, Estoninë, Sllovakinë, Finlandën, Letoninë, Serbinë, Bosnje Hercegovinën, Poloninë, Belgjikën, Maltën, Greqinë, Portugalinë, Maqedoninë, Bjellorusinë dhe Islandën. Shqipëria konkurroi e 12-a në radhë me këngën “Nuk mundem pa ty” ( “It’s all about you”), shpallur fituese e Festivalit në RTSH, në muajin dhjetor. E veshur në të zeza, me një kostum të stiluar nga Joni Peçi, pantallona dhe xhaketë, me elementë tradicionalë shqiptarë, Juliana pasha u ngjit në skenën e Eurosongut. Ashtu si edhe ishte parashikuar, ajo shoqërohej nga violinisti Olen çezari, një nga muzikantët shqiptarë, më në zë në Evropë, si dhe nga tre shoqërueset e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Glenys Vargas, Desiree Keedjour dhe Joy. Një performancë mjaft e mirë e përfaqësuesve shqiptarë, çka u vërtetua edhe nga pritja që i bëri publiku. Pas votimit të të gjitha vendeve pjesëmarrëse dolën edhe 10 finalistët, që do të ngjiten sërish në skenë, mbrëmjen e së shtunës, në 29 maj. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit, jo gjithçka vendoset nga televotimi. Vetëm 50% e pikëve kushtëzohet nga televotimi popullor, ndërsa 50% të tjera i janë lënë në dorë jurisë profesioniste. Edhe kësaj here, vendet pjesëmarrëse në festival nuk mund të votojnë për këngën e tyre.
Dhjetë finalistët
Bosnje Hercegovina
Moldavia
Rusia
Greqia
Portugalia
Bjellorusia
Serbia
Belgjika
Shqipëria
Islanda