E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë, Topi çon në Parlament tri emra



ADI SHKEMBI

Presidenti Bamir Topi dekreton tre gjyqtarë për në Gjykatën e Lartë. Pak javë pasi dërgoi në Parlament emrat e anëtarëve për në Gjykatën Kushtetuese, kreu i shtetit ka hedhur dje firmën mbi dekretin e Vexhi Muçmatës, Sokol çomos dhe Medi Bicit. Kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë do të ndjekin të njëjtën procedurë si kolegët e tyre në Gjykatën Kushtetuese, ku në fillim do të zhvillojnë një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve dhe më pas do t’i nënshtrohen votimit të fshehtë në Parlament. Nëse maxhoranca do t’i votojë dekretet e propozuara nga kreut i shtetit, do të plotësohen vendet e lënë bosh nga Evjeni Sinoimeri, Spiro Spiro dhe Irma Bala.
Gjyqtarët
Njësoj si me listën e kandidatëve që u votuan për në Gjykatën Kushtetuese, edhe në emrat e publikuar dje, ka gjyqtarë të cilët janë përballur më parë me deputetët në Parlament. Medi Bici, i cili vjen nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, u dekretua dy vjet më parë nga Presidenti Bamir Topi për t’u emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë së bashku me katër gjyqtarë të tjerë. Por në atë kohë, për shkak të marrëdhënieve të acaruara mes maxhorancës dhe kreut të shtetit, shumica parlamentare i rrëzoi në bllok të gjithë kandidatët për gjyqtarë dhe mes tyre edhe Medi Bicin. Pas këtij votimi reagoi ashpër kreu i shtetit, por edhe të përndjekurit, të cilët i bënë thirrje Kryeministrit Berisha të rishikonte qëndrimin e tij. Përgjatë 10 viteve në Gjykatën e Tiranës, Bici ka gjykuar një numër të madh çështjesh, të të gjitha zhanreve si penale, civile, tregtare dhe administrative. Në vitin 2004 Bici u emërua gjyqtar në Apelin e Krimeve të Rënda, post të cilin e mban edhe aktualisht. Dekretimi i një gjyqtari nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë vjen vetëm pak ditë pasi maxhoranca ka rrëzuar në Kuvend me 66 vota kundër emrin e Vangjel Kostës për në Gjykatën e Lartë. Sipas Partisë Demokratike, Kosta ka dhënë dënime politike gjatë kohës së regjimit komunist dhe shikohet prej saj si një kandidaturë politike e papranueshme për në këtë shkallë të gjyqësorit. Emri i dytë i dekretuar dje nga kreu i shtetit për në Gjykatën e Lartë është ai i Sokol çomos. Gjyqtari me origjinë nga Fieri ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në periudhën 2002-2007, ndërkohë që në periudhën 2004–‘06 ka qenë anëtar i Komisionit të Reformës Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë. Kandidatura e tretë e kreut të shtetit e firmosur paraditen e djeshme është ajo e Vexhi Muçmatës, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për periudhën 1993-1997. Nga viti 1997 e në vazhdim ai ka ushtruar funksionin e prokurorit pranë Gjykatës së Lartë në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë që nga viti 2002 deri në 2008-ën ka qenë kryeprokurori i Tiranës. Kreu i shtetit nisi pak kohë më parë procedurat për përzgjedhjen e gjyqtarëve që do të zënë vendet e mbetur vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Një grup juristësh të njohur në vend zhvilluan disa mbledhje nën drejtimin e Presidentit, ku u përcaktuan kriteret që do të mbaheshin parasysh për emrat që do t’i kalonin Kuvendit. Topi deklaroi në të njëjtën kohë se, në këto dy instanca të larta të gjyqësorit nuk do të shkojnë kandidatë politikë. Në ditët në vijim pritet që Presidenti të dekretojë edhe emrat e tjerë për në Kushtetuese.

Vexhi Muçmata
Vexhi Muçmata ka lindur në vitin 1955, është baba i tre fëmijëve, i diplomuar për drejtësi dhe aktualisht mban gradën shkencore Master. Muçmata ka një karrierë të pasur në drejtësi, pasi ka mbajtur detyra dhe poste të shumta në organin e akuzës si dhe në KLD. Nga 21 maji i vitit 1992 deri më 12 tetor 1992, Muçmata ka mbajtur postin e zëvendëskryetarit të hetuesisë së kryeqytetit. Pas kësaj, nga 12 tetori i vitit 1992 deri më 31 gusht 1995, Muçmata ka pasur detyrën e Drejtorit të Policisë Hetimore, detyrë të cilën e ka lënë më 1 shtator të atij viti, kur ka marrë postin e zëvendësprokurorit të Rrethit në Tiranë, që e ka mbajtur deri në 15 tetor të vitit 1997. Pas kësaj, Muçmata më 16 tetor 1997 është emëruar prokuror pranë Gjykatës së Lartë në Prokurorinë e Përgjithshme. Në këtë detyrë ka vazhduar deri më 8 maj 2002, kur ka marrë postin e kreut të Prokurorisë së Tiranës, që e ka mbajtur deri më 30 janar të dy viteve më parë. Aktualisht Muçmata është prokuror në kryeqytet. Ndërkohë gjatë kësaj kohe Muçmata ka pasur funksionin Kushtetues të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga viti 1993 deri në vitin 1997, ndërkohë ka marrë pjesë në kurse të shumta kualifikuese profesionale brenda dhe jashtë vendit.

Sokol çomo
Sokol çomo është kandidatura e dekretuar prej Presidentit Bamir Topi me CV-në më të pasur në fushën e jurisprudencës. 38-vjeçari ka lindur në qytetin e Fierit ndërsa aktualisht, që nga korriku 2006 ushtron detyrën e avokatit në kryeqytet. çomo është diplomuar jurist në vitin 1994, ndërkohë nga prilli ‘95 deri në tetor 1998 ka punuar si gjyqtar në Tiranë; tetor ‘98–mars 2000, zv/ministër i Drejtësisë; mars–prill 2000 zv/kryetar i Gjykatës së Tiranës; prill 2000–janar 2006 kryetar i kësaj gjykate; janar–maj 2006 anëtar permanent i KLD-së. Që nga viti 2001 është pedagog i jashtëm i Procedurës Civile në Shkollën e Magjistraturës; që nga janari ’09 është Anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ndërsa nga 2008-a është Anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë Tiranë; 2002–‘07 anëtar i KLD-së; 2004–‘06 anëtar e zv/kryetar i Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë pranë Ministrisë së Rendit Publik; 2000–‘06 Anëtar i Bordit Drejtues të ZABGJ; 2004 –‘06 anëtar i Komisionit të Reformës Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, etj. çomo ka edhe mjaft kualifikime profesionale brenda dhe jashtë vendit.

Medi Bici
Medi Bici ka lindur në vitin 1960. Aktualisht është gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Bici e ka nisur karrierën juridike në vitin 1992, kur ka nisur të punojë si jurist në Minierën e qymyrgurit në Valias. Një vit më pas ai emërohet si ndihmësgjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Pasi qëndron një vit në këtë detyrë, Bici emërohet gjyqtar në vitin 1994. Përgjatë 10 viteve në këtë institucion Bici ka gjykuar mijëra çështje, të të gjithë zhanreve si penale, civile, tregtare dhe administrative. Madje disa herë është shpallur si gjyqtari që ka pasur rendimentin më të lartë në punë, duke llogaritur numrin e gjykimeve dhe shpejtësinë me të cilën i ka përfunduar çështjet. Në vitin 2004 Bici u emërua gjyqtar në Apelin e Krimeve të Rënda, post të cilin e mban edhe aktualisht. Bici është i martuar dhe ka tre djem. Ai ka kryer arsimin juridik gjatë viteve 1991–1994 dhe aktualisht është diplomuar në Master të Nivelit të Dytë. Plot dy vite më parë, më 21 maj 2008, Presidenti i Republikës dekretoi sërish gjyqtarin Medi Bici si anëtar të Gjykatës së Lartë, por kandidatura e tij u rrëzua nga Kuvendi me shumicë të djathtë, së bashku me kandidaturat e katër kolegëve të tjerë, të dekretuar në të njëjtën mënyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›