Rama si Uidhers: Gabim rrëzimi
Aristir Lumezi
Kryesocialisti Rama e cilësoi rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës, nga Parlamenti, politik dhe për motive të errëta. Këtë pozicionim, kreu socialist e bëri menjëherë pas takimit që zhvilloi në Presidencë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. “Ndajmë me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara shqetësimin e jashtëzakonshëm për gjendjen e drejtësisë në vend. Degradimi në vijimësi i sistemit të drejtësisë dhe përpjekja konstante e pushtetit aktual, për t’ia nënshtruar drejtësinë interesave të veta, u shpreh në një formë jashtëzakonisht shqetësuese edhe përmes rrëzimit në Parlament të kandidaturës së konstitucionalistit të njohur, zotit Vangjel Kosta, i propozuar nga Presidenti i Republikës për anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Rama. Sipas tij, qëndrimi i selisë rozë përputhet plotësisht me analizën dhe motivet e paraqitura dhe nga Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs. “Ky ishte një rrëzim për motive të errëta dhe në kundërshtim të plotë me frymën e transparencës e të kushtetutshmërisë, e cila po i mungon vendit përditë e më shumë në këtë kohë krize të thellë. Unë i ndaj pa asnjë ngurrim me zotin Uidhërs, një për një, motivet e shqetësimit të madh për arsyet e kuptueshme dhe mënyrën e pa aprovueshme që çuan në rrëzimin e kësaj kandidature të spikatur”, u shpreh kreu socialist. Pak ditë më parë, Parlamenti miratoi dy kandidatura dhe rrëzoi kandidaturën e Vangjel Kostës, për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Rrëzimi i kësaj kandidature u argumentua nga maxhoranca si politik, pasi ai ka qenë gjyqtar para viteve ’90 dhe ka dhënë vendime politike.
Uidhërs
Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs, e cilësoi dy ditë më parë rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës nga ana e maxhorancës si politik. “Disa ditë më parë, Parlamenti refuzoi emërimin e z. Vangjel Kosta në një votim thuajse partiak. Sinqerisht, këtë vendim e gjeta befasues, në mos të pakuptueshëm. Qartësisht, vendimi nuk bazohej mbi kualifikimet e z. Kosta, përderisa përvoja dhe aftësitë e tij qëndrojnë përtej dyshimit dhe, emri i tij si jurist është në nivelet më të larta, përfshi në nivel ndërkombëtar. Dhe, arsyet e dhëna për votimin e Parlamentit dukeshin politike deri në shqetësim”, u shpreh Uidhërs. Ambasadori ngriti disa pyetje që, sipas tij, kërkojnë përgjigje dhe nga publiku. “A u bazua ky vendim mbi arsyet apo ishte një tjetër shembull i ushtrimit të trysnisë politike mbi procesin e përzgjedhjes për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese? Arsyet e dhëna për këtë refuzim, çuditërisht ngjajnë me kriteret e ligjit të Lustracionit të vitit të kaluar, i cili u deklarua jo kushtetues nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. A nuk duhet të bëni pyetje lidhur me këtë? A nuk duhet të kërkoni faktet mbi atë çka ndodhi?”, u shpreh Uidhërs, gjatë diskutimit për gjyqësorin dhe median. Për Ambasadorin amerikan besimi në sistemin e drejtësisë duhet të jetë shumë i lartë nga qytetarët dhe, sipas tij, kjo arrihet pa ndërhyrjen e politikës. “Një vend në të cilin sistemi i gjykatave është i politizuar, në të cilin gjyqtarët zgjidhen për shkak të besnikërive politike, jo për shkak të kompetencave gjyqësore, është njësoj si të pakësosh tre pushtetet e demokracisë vetëm në dy: ekzekutiv dhe legjislativ, por jo gjyqësor. Prandaj shqetësohem shumë kur shoh veprime si ato, të enjten e kaluar në mbrëmje në Parlament”, u shpreh Uidhërs, duke komentuar ndërhyrjen e politikës në gjyqësor dhe në sistemin e drejtësisë.
Parlamenti
Deputetët e maxhorancës rrëzuan në votimin e 21 majit kandidaturën e Presidentit për në Gjykatën Kushtetuese. Vangjel Kosta mori 66 vota kundër në Parlament, ndërsa u miratuan me nga 70 vota, dy kandidaturat e tjera; Bashkim Dedja dhe Altina Xhoxhaj. Komisioni i Ligjeve i kishte kaluar të tre kandidaturat, për të zëvendësuar tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilëve u ka mbaruar mandati. Prej 8 vitesh, Kosta ka punuar pedagog në Shkollën e Magjistraturës, së fundi po ushtron profesionin e avokatit. Edhe Vangjel Kosta ka qenë në listën e kandidaturave për Gjykatën e Lartë në muajin korrik të vitit 2008.