E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia e kërcënuar

Sajmir Tahiri

Dje Komisioni i Ligjeve dëgjoi raportimin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2009 Meqë maxhoranca aktuale, vjet në të njëjtën kohë nuk mori mundimin as të dëgjonte për raportim Prokuroren e Përgjithshme, në shenjë injorimi për inatet politike të asaj kohe, duke mos përmbushur kështu një detyrim kushtetues të Parlamentit, raportimi i djeshëm kishte trajtën e një raportimi 2-vjeçar, gjë që edhe zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ishte kujdesur ta nënkuptonte ndër rreshta.
Përtej 250 faqeve raport të paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme, seanca e pyetjeve nuk shërbeu si mundësi për t’u thelluar jo vetëm mbi statistikat shifrore të raportit, por edhe mbi çështje që kanë ngërthyer vëmendjen e opinionit publik prej shumë kohësh tashmë.
Përfaqësuesit e maxhorancës në Komision, në përpjekje e sipër për të shfaqur dashamirësi falas për Prokuroren, pa dashje pësuan shkarjen e radhës, duke treguar fytyrën e vërtetë të maxhorancës ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Relatori i maxhorancës, me tone qortuese, vërejti se në mënyrë të pajustifikuar, përfaqësues të prokurorisë kanë shprehur në publik kundërshtitë e tyre për p/ligjet e iniciuara nga maxhoranca, duke pasur parasysh konkretisht ligjin e ashtuquajtur “antimafia”. Këshilla ishte me terma ultimative si “ju tërheqim vëmendjen që këto raste të mos përsëriten më në të ardhmen”.
Nuk besoj ka ndodhur ndonjëherë në historinë e legjislativit që një deputet, i ngarkuar me detyrën kushtetuese për të hartuar ligje në konsultim e bashkëpunim, jo vetëm me institucionet e rëndësishme, por edhe me grupet e interesit që nuk kanë lidhje fare me pushtetin, t’i kërkojë me kërcënim Prokurorit të Përgjithshëm të ketë vëmendjen, të mbajë në kontroll komunitetin e prokurorëve, t’i mbyllë gojën e të mos ndodhë më kurrë në të ardhmen që të shprehin objeksionet e tyre për iniciativat ligjore të maxhorancës.
Kjo natyrisht që nuk është shkarje personale e një deputeti, por është një tendencë e konsoliduar e maxhorancës, jo vetëm ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe ndaj Gjyqësorit e ndaj institucioneve të drejtësisë në tërësi. Shembull më të freskët sesa votimi politik në bllok, për të hedhur poshtë dekretin e Presidentit për emërimin e Vangjel Kostës, anëtar të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të ketë. Kështu ndodhi edhe pak kohë më parë me 5 dekrete të tjera e kështu do ndodhë gjithmonë, përsa kohë kjo maxhorancë drejtësinë e sheh si pengesë në rrugën e saj për të ushtruar pushtet përtej kufijve që lejon ligji, madje duke e shkelur me të dyja këmbët ligjin.
Por nga ana tjetër, edhe përgjigjet e Prokurores së Përgjithshme ishin larg të qenit të plota dhe shteruese për interesimin e deputetëve dhe kjo me pretendimin se në Parlament raportohet për politikat e drejtësisë penale dhe jo për çështje konkrete.
Kjo “çadër legale” shërbeu edhe për të shpëtuar Prokuroren nga përgjigjet e disa pyetjeve, të cilat pse mendoj se janë me mjaft rëndësi për publikun, po i rendis më poshtë:
1. Në cilën fazë janë hetimet për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi? E konfirmon Prokurorja e Përgjithshme se vetë institucioni që ajo drejton e ka cilësuar vrasjen e të ndjerit Fatmir Xhindi, si vrasje për shkak të detyrës si deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, përsa kohë hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me kualifikimin ligjor sipas Nenit 79/c të Kodit Penal (vrasje me dashje e kryer ndaj deputetit)?
2. Përse Prokuroria e Përgjithshme nuk kërkon heqjen e imunitetit dhe autorizimin për fillimin e ndjekjes penale për deputetin Fatmir Mediu, në lidhje me çështjen e Gërdecit ku gjetën vdekjen 26 shtetas? Sa i rëndë është precedenti “Mediu” për drejtësinë penale, në rast se supozojmë kazusin sipas të cilit, mos dhëntë zoti, Kryeministri i vendit lajthitet, vjedh thesarin e shtetit, ndaj tij Prokuroria fillon ndjekjen penale e për rrjedhojë nis procesi gjyqësor, Kryeministri vetë e çon vendin në zgjedhje të parakohshme prej nga rifiton mandatin e deputetit? Ndaj tij pushon çështja përgjithmonë, siç po ndodh me Mediun, pra mbetet i padënuar përgjithmonë pavarësisht veprës penale të konsumuar? Ky precedent, a po i jep mesazhin çdo lloj rrace krimineli e hajduti se duhet të fitojë mandat deputeti, që të shpëtojë përgjithmonë nga drejtësia?
3. Kush mban përgjegjësi për dështimin e Prokurorisë në lidhje me çështjen Durrës-Kukës, çështje prej të cilës shteti shqiptar dhe qytetarët kanë pësuar dëm prej më shumë se 300 milionë euro? A duhen marrë masa ndaj të gjithë atyre që ishin të ngarkuar me hetimin e kësaj dosje?
4. A ka filluar ndjekja penale për punonjësit dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit që nuk lejuan marrjen në pyetje të shtetasit Damir Fazllic në aeroport, duke penguar punën e prokurorëve dhe duke shoqëruar Fazllic drejt avionit, të mos kapej nga drejtësia?
5. A është kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme marrja e masave administrative ose fillimi i ndjekjes penale ndaj 2 inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, që me urdhër të veçantë të ministrit iu sulën prokurorisë për të sekuestruar dosjen Fazllic në kulmin e hetimeve, inspektim që vetë Prokuroria e ka konsideruar të jashtëligjshëm dhe presion politik për të mbyllur çështjen? Po ndaj eprorëve që urdhëruan inspektimin, përse nuk fillon ndjekja penale?
6. Cili është shkaku për dështimin e deritanishëm të zbardhjes së dosjes “Remzi Hoxha”, e cila është bërë pjesë integrale e çdo raporti ndërkombëtar për drejtësinë në Shqipëri.
7. A po hetohet ende për atentatin ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni dhe në cilën fazë janë hetimet, duke mbajtur në konsideratë këtu se vetë Unioni i Gjyqtarëve ka akuzuar prokurorinë për paaftësi në zbardhjen e ngjarjes.
8. Një prokuror (Zamir Shtylla), vartës i Prokurores së Përgjithshme dhe që kishte në hetim çështje mjaft të rëndësishme, dha dorëheqjen pas presioneve dhe sulmeve denigruese, të bëra nga Kryeministri Berisha ndaj prokurorit nominalisht. A ka pasur komunikim ndërmjet Prokurorit të Përgjithshëm dhe Kryeministrit për të kërkuar ndalimin e sulmeve politike ndaj prokurorit, sulme të drejtuara njëherësh ndaj Prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë në tërësi?
Këto janë pyetje të cilat nuk morën përgjigje, me pretendimin se bëhet fjalë për çështje të veçanta, por të cilat unë i parashtrova përsëri pa pritur që të marr përgjigje, pikërisht pse mendoj se nuk ka çështje të veçantë aq të rëndësishme sa të mbajë peng drejtësinë dhe moszbardhjen e të vërtetës, duke dënuar fajtorët. Dhe kjo, jo vetëm pse si qytetar i Republikës kam të gjithë të drejtën kushtetuese të informohem mbi këto çështje, pa cënuar sekretin hetimor, por rrjedhimisht, si deputet i Kuvendit, më lind detyrë të insistoj më shumë se të tjerët për të mos lejuar kurrsesi që këto çështje të arkivohen në çfarëdo sirtari pa drejtësi e pa fajtor.
Në të kundërt, shumë shpejt do ketë një “Gërdec” tjetër, një investim tjetër që do vjedhë paratë publike dhe taksat e qytetarëve, sekserë të tjerë që do shkojnë e vijnë duke grabitur pasurinë publike të shqiptarëve vetëm pse kanë shok Kryeministrin, siç mund të ketë edhe qoftë larg, të tjerë banditë që mund të çojnë nëpër mend të qëllojnë me armë ndaj deputetëve të opozitës dhe t’ia hedhin paq meqë prokuroria dhe drejtësia nuk funksionon.
Kërcënim më të madh se kaq, nuk mund të ketë së pari për ata që e pësojnë nga kriminelët dhe keqbërësit, e pastaj për shoqërinë, sistemin e drejtësisë, shtetin ligjor, institucionet demokratike dhe rendin kushtetues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›