Eurosong është lobing i homoseksualëve
Klotilda harka
është festivali i ngjyrave, haresë, energjisë dhe ritmit që organizohet nga EBU, shoqata e të gjithë shpërndarësve audiovizuale europianë. Mbi gjysmë shekulli histori, dhe miliona shikues audiencë. Një skenë ku ndizet patriotizmi dhe aleanca mes popujve fqinjë, dhe ku muzika e çdo vendi shfaq individualitetin e saj. Por diskutimet e momentit që kanë përfshirë Shqipërinë mbi kauzën e homoseksualitetit dhe të drejtave të tyre, mesa duket ka ardhur koha për t’i shtrirë edhe në muzikë. Këngëtari Frederik Ndoci, i cili ka konkurruar në vitin 2007, nga çfarë ka parë tregon se nuk është patriotizmi në plan të parë në renditjen e këtij festivali, por lobingjet e homoseksualëve. Ka dhënë një deklaratë ndryshe në emisionin e parë të pasdites, që Rudina Magjistari drejton në TV Klan duke çuditur të gjithë. Në një panel ku ishin të ftuar këngëtarët që kanë përfaqësuar deri tani Shqipërinë në Eurovizion, Ndoci është i vetmi që ka pohuar se bëhet fjalë për një festival që financohet nga organizata e homoseksualëve të vendeve pjesëmarrëse. Ja çfarë rrëfen për gazetën “Panorama”, ai që konkuroi tre vite më parë me këngën “Ballad of Stone” me ish-bashkëshorten, Aida Ndoci.
Marrim shkas nga deklarata juaj në emisionin e Magjistarit, ku u shprehët se Festivali Europian është një festival homoseksualësh. Ku bazoheni?
Kam qenë prezent dhe pashë gjithçka me sytë e mi. Së pari organizatatorët e këtij festivali që mbulojnë shpenzimet kryesore çdo vit janë organizatë gay prej vitesh. Pankartat, teknika dhe organizimet e tjera janë lobingje të ndërrmarrjeve private, ndërsa si organizatë mbështetëse janë homoseksualët.
Po përse vallë homoseksualë rendin të shpenzojnë për këtë festival?
Sepse ata bëjnë gjithçka që të penetrojnë në jetën tonë jo vetëm me muzikë por me gjithçka. Pastaj ata janë të pasur, janë njerëz që janë ngopur nga jeta.
Ju konkurruat në vitin 2007 me Aida Ndocin, e dinit më parë këtë fakt?
Kur shkova atje nuk e dija saktë sepse konkurrentët që kishin qenë dy-tre vite përpara meje pikërisht; Ledina çelo, Anjeza Shahini apo Luiz Ejlli nuk ma kishin thënë. Unë jetoja në Nju Jork dhe ndaj nuk kisha dijeni, përveçse kisha dëgjuar shumë pak që për Shqipërinë mund të ishte një dizavantash për sukses, fakti që nuk kishte një organizatë të tillë që financonte këtë festival, ashtu si shumë shtete europiane.
Ju ishit në garë me këngëtarë e grupe, mund të përmendi emra artistësh që mendoni se ishin homoseksualë?
Pothuaj të gjithë, përveç 7-8 shteteve ku hynte dhe Shqipëria që nuk ishin homoseskualë (qesh). Mund të përmend ç’më vjen në mendje; Ishte këngëtarja nga Estonia, Gerli Padar me këngën “Partners in crime”, grupi anglez “Scooch” me gjithë balerinë me këngën “Flying the flag for you”, këngëtari nga Austria, Eric Papilaya me grupin që kënduan këngën “Get a life, get alive”, këngëtari grek Sarbel me “Yassou Maria”, këngëtari turk Kenan Dogolu me këngën “Shake It Up shekerim”, djemtë e Francës të grupit “Les Fatals Picards” me këngën “L’amour a la francaise”, djemtë e grupit “Teapacks” të Izraelit me këngën “Push the button”, dhe kryesoret gjashtë vajzat e grupit që fitoi çmimin e parë, mes tyre Marija Serifovic me këngën “Molitva”. Ishte një grup lesbikesh, pasi në duart e tyre kishin simbolet e dy zemrave të ndara, simboli i dy femrave që bëhen bashkë.
Sipas jush, ishte kjo arsyeja që vajzat serbe u shpallën fituese atë vit?
Ato vinin nga një vend fanatik, si Serbia dhe ato u ishin drejtuar organizatorëve që në shkurt me një lutje për t’i ndihmuar që të fitonin, pasi në Serbi edhe mund t’i vrisnin për homoseksualitet. Unë e dija më herët që ato do fitonin, pasi kënga e tyre ishte e promovuar jashtë mase në 5-6 gjuhë dhe në 7-8 stile të ndryshme. Madje kënga jonë shqiptare ishte menduar të kishte pesë zëra femrash dhe u hoq e u zëvendësua me meshkuj, ndërkohë që perfomancën e femrave e pamë te kënga serbe.
Mendoni vërtet se në vlerësimin e këngëve ndikon homoseksualizmi i këngëtarëve?
Patjetër, është kriter kryesor. Kriteri i parë është që duhet të jesh gay. Pastaj është patriotizmi dhe mënyra e votimit. Këto dy vjet sistemi i votimit ka ndryshuar, por kur konkurrova unë sistemi i votimit ishte skandal, pasi popujt votonin fqinjët dhe Shqipëria nuk kishte ndonjë mbështetje të tillë. Megjithatë nga vendi i 42-të arrita ta çoj Shqipërinë në vendin e 17-të.
A mendoni se ka një organizim të secilit shtet në këtë lobing homoseksualësh, nëse mund ta quanim kështu?
Patjetër, dhe gjithë bota e di këtë. çdo shtet ka organizatën gay të festivalit Europian, ku do të përmendja këtu orgnizatën e Bullgarisë që është gay, etj.
Ju vetë Frederik, çmendim keni për homoseskualët?
Unë vetë kam jetuar në New York dhe i respektoj ata, siç ne kemi kënaqësi për jetën tonë dhe ata kanë kënaqësi për jetën e tyre. Kjo s’do të thotë që ke qejf t’i shohësh se s’i vuajnë ata.
A keni një koment për këtë evenimet të muzikës europiane, me çfarë syri e shihni tani?
Përgjigjja do të ishte: “Na ishte një herë Festivali Europian”. Për Shqipërinë do të thoja që është ende një ngjarje, megjithatë janë shumë faktorë për sukses atje, pasi Shqipëria për lindjen është perëndim dhe për perëndim është lindje. Por kjo që them nuk vlen vetëm për organizatorët, por dhe për fansat që e ndjekin. Nëse do jesh aty, do të ndjesh se të pushton atmosfera e tyre.