Elizabeta Beqiri: Si munda të hyj në rrethin e artistëve të njohur
Nuk e ka problem të këndojë “live” dhe ta gdhijë në lokalet e natës. Elizabeta Beqiri është një liceiste 17 vjeçare që këndon çdo fundjavë në lokalet e njohura të Tiranës. Por si ka arritur ajo të hyjë në rrethin e këngëtarëve që kanë vite në këtë treg, dhe ambicia e saj t’u bërë këngëtare e njohur.
Si ke arritur të hysh në rrethin e këngëtarëve që këndojnë “live”, në lokalet ku këndon për momentin?
Maestro Dorian Gjoni ka evidentuar cilësinë e zërit tim dhe ndaj në fillim u diskutua që unë mund të këndoja tek programi “E ediell”në “Top Channel”. Por pati një ndryshim programi dhe kështu që maestro Gjoni i propozoi këngëtarit Antre, për të më marrë si soliste me rihapjen e “Cabalito del Mar”. Së bashku kemi krijuar një repertor shumë të pëlqyer dhe ndaj vazhdimisht marr oferta nga lokale të ndryshme, që më duhet të vendos për diçka shumë të mirë.
Ti studion në lice për kanto, a të dëmton të kënduarit “live” në lokale?
Nga eksperienca që kam them se përkundrazi, pasi të kënduarit “live” të ndihmon shumë për zërin.
Shumë këngëtare të njohura vazhdojnë karrierën nën mbikëqyrjen e mamave të tyre. Po ti?
Në fakt po, edhe mua më shoqëron mamaja ime ndërsa unë këndoj në lokalet e natës. Arsyeja pse më shoqëron është pasi e njeh muzikën sepse më bën kritika për mënyrën sesi këndoj, dhe se si prezantohem në publik. Gjithsesi unë kam filluar të këndoj në moshë shumë të vogël.
Cila do të jetë e ardhmja jote në muzikë, mes muzikës operistike dhe asaj të lehtë kë do zgjedhësh?
Patjetër që do të konkurroj në Akademinë e Arteve të Bukura në degën e Kantos. Por mendoj se e ardhmja ime do i përshtatet tregut të muzikës në Shqipëri. Kështu në verë mendoj të realizoj një këngë solo, që do ta bëj dhe klip. Po ashtu në verë me këngëtarin Antre do të japin koncerte jashtë vendit.