E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurostat: Fundi i 2009-ës, Europa zero rritje ekonomike

BRUKSEL- Eurozona nuk ka shënuar asnjë rritje ekonomike gjatë tre mujorit të fundit 2009. Statistikat janë publikuar sot nga Eurostat, të cilat tregojnë se ndryshe nga parashikimet, ekonomia në 16 vendet që përdorin euron është kontraktuar me 2.2 % gjithësej, ndryshe nga sa ishte thënë më parë se ekonomia ka rënë me 2.1%.
Publikimi i shifrave të fundit tregon se kriza greke ka ndikuar në këtë rënie. Kjo përforcon më shumë thirrjet nga vendet e tjera të eurozones, se Greqia duhet patjetër të vazhdojë të marrë masa ekstreme pa ndihmën e pjesës tjetër të Europës.
Një prej ekspertëve të ekonomisë së eurozonës tha se prioritet i gjithë qeverive të eurozonës këtë vit, duhet të jetë reduktimi i borxheve publike që është rritur shumë gjatë kohës së krizës financiare globale.

Kjo duhet të ndodhë para se niveli i interesave të fillojë të rritet. Gjithë vendeve të eurozonës u kërkohet të marrin masa për të reduktuar këto borxhe, para se të shtohet presioni i tregjeve financiare ndaj tyre.
Greqia me borxhin e saj të madh dhe deficitin buxhetor katër herë më të lartë se eurozona, rrezikon ekonominë e gjithë vendeve në grupin që përdorin monedhën e përbashkët europiane.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›