Eurot false zbulojnë grabitësin e grave
Tenton të këmbejë në lekë 50 euro të falsifikuara, identifikohet si autor i disa vjedhje me dhunë. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, është ndaluar 25-vjeçari Ardian Veleshnja, banor lagjes "30 Vjetori". I riu u shoqërua dy ditë më parë në organin blu, pasi tentoi të shkëmbejë në lekë 50 euro të falsifikuara dhe pronari i pikës së këmbimit valutor A.Q. kërkoi ndihmën e policisë. Ndërsa është marrë në pyetje në dhomat e paraburgimit në lidhje me kartëmonedhën e falsifikuar, ekspertët e policisë kanë konstatuar se mbi të binin të gjitha dyshimet se është autor i katër vjedhjeve me dhunë të ndodhura gjatë muajit të fundit në këtë qytet. Sapo kanë pikasur se provat dhe dëshmitë mbi autorësinë e vjedhjeve binin mbi të ekspertët e policisë kanë urdhëruar menjëherë arrestimin e tij. Dyshohet se 25-vjeçari është autor i katër vjedhjeve me dhunë të ndodhura në rrugët e këtij qyteti. Viktimat e tij kanë qenë dy gra dhe dy vajza të mitura, të cilave Veleshnja kishte arritur t‘u grabiste çantat dhe celularët.
Mi.H.
Mi.H.