E Diel, 1 Nëntor 2026

Sajuan grabitjen me armë, pranga punonjësve hajdutë

Inskenojnë vjedhjen e kazinosë ku punonin, policia prangos autorët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 16 të qytetit të Korçës, gjatë orëve të mbrëmjes së të dielës. Policia lokale bën të ditur se autorët e ngjarjes kanë qenë vetë punonjësit e kazinosë, të cilët për të humbur gjurmët kanë denoncuar një grabitje të armatosur me maska. Kjo ishte hera e dytë brenda muajit që kjo pikë grabitej nga maskat. Por ndërsa herën e parë policia nuk mundi të sigurojë prova të mjaftueshme për autorët e ngjarjes, këtë herë uniformat blu të Komisariatit të Korçës kanë mundur të kapin në flagrancë hajdutët, ndërsa po merrnin paratë e fshehura prej tyre. Sipas policisë lokale, ka qenë ora 21:00 e së dielës kur është njoftuar për një grabitje me maska dhe armë në kazinonë që ndodhej në lagjen 16 të qytetit. Edhe këtë herë, punonjësit e turnit kanë sinjalizuar policinë, duke pretenduar se një person i maskuar dhe me armë ka grabitur paratë e xhiros ditore. Policia ka ngritur menjëherë strukturat e saj dhe ka organizuar një operacion që ka zgjatur gjashtë orë, deri në prangosjen e tre punonjësve të kësaj qendre. Ata janë: Endri Bostanxhi, 34 vjeç me detyrë punonjës sigurie i kazinosë në fjalë, vëllai i tij 40-vjeçar Leonard Bostanxhi dhe Kostika Simaku, 43 vjeç, të dy punonjës në pikën e lojërave të fatit. Sipas policisë ata kishin arritur të vidhnin një sasi prej 2.3 milionë lekësh dhe i kishin fshehur në një kosh plehrash përballë me pikën e lojërave të fatit. Ndalimi është bërë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur në mungesë të dëshmitarëve dhe errësirë, ata kishin shkuar te koshi i plehrave dhe kanë marrë paratë, që i kishin fshehur në qese të zeza, disa hapa përballë me kazinonë ku punonin. Për të tre autorët u kryen veprimet procedurale për veprën penale të "Vjedhjes me armë në bashkëpunim".

J.Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›