E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Gjykata s‘mund të dalë kundër vullnetit të një populli

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në prag të nisjes së procesit për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tha se pala shqiptare do të paraqiste argumente të forta dhe "të parrëzueshme".

Në një intervistë për BBC-në, Sejdiu shprehu bindjen se gjykata nuk mund të merrte një vendim që do të binte ndesh me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës. Ai tha se procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës ka përfunduar dhe përjashtoi çdo mundësi të rifillimit të bisedimeve me Serbinë për këtë çështje. Kreu i shtetit të pavarur të Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi se edhe juridikisht Beogradi nuk e ka pasur Kosovën nën varësi. "E para, Kosova asnjëherë s‘ka qenë pjesë e Serbisë. Ajo ishte e aneksuar dhe ato gjithnjë kanë pasojat e tyre e ato që kanë ndodhur, në kuptimin për të mos qenë me vullnet në një kornizë që Serbia pretendon ta ketë. Kosova ka qenë pjesë e një federate që është zhbërë. Para disa ditësh ka qenë një deklarim jashtëzakonisht i argumentuar i ministrit të Jashtëm britanik, David Miliband, se procesi i shkatërrimit të plotë të Federatës Jugosllave përfundon me Kosovën, sepse ajo ishte njësi e barabartë sikur edhe njësitë e tjera". Duke e elaburuar më tej qëndrimin e tij, Presidenti i Kosovës tha se "mund të them gjithashtu se Kosova në të gjitha ecjet e saj ka pasur karakterin sui generis. Duke qenë anëtar i barabartë në Federatën Jugosllave, duke qenë pjesëmarrëse në vendimet e mëdha deri në të drejtën e vetos, duke pasur kufijtë e definuar si njësi federale, dhe ka pasur po ashtu edhe procese paralele të cilat kanë ekzistuar edhe në njësitë e tjera federale në kontributin e zhbërjes. Kosova ka pasur edhe referendumin e vet; një referendum që është arritur me deklarimin e gjithë qytetarëve të vendit, rreth 90 për qind e tyre janë deklaruar për mëvetësinë e saj". Ndërkaq, në lidhje me atë që gjykata mund të mos marrë një vendim të prerë, Sejdiu tha se "nëse gjykata do të marrë një vendim, ajo s‘mund të marrë një vendim tjetër që është jashtë respektimit të vullnetit politik të një populli, të një kombi, të një vendi të ri të krijuar në kuptimin juridiko-kushtetues, ose edhe ndërkombëtar. Çështja e dytë është se gjykata asnjëherë s‘mund të marrë një vendim në formulën që ka kërkuar Serbia. Formula e saj ka qenë që të kërkojë nëse ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare shpallja e pavarësisë. E drejta ndërkombëtare realisht do të sanksionojë veprimet që janë të mbështetura në parimet universale që njeh bota e sotme, por edhe e dikurshme, në aspektin teorik. Pra, që të respektohet vullneti i një populli".

Y.P.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›