E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Reforma zgjedhore në një komision të ri

 

Rinisja e reformës zgjedhore shtron edhe një herë nevojën për shtyrjen e afatit të komisionit të posaçëm parlamentar që është ngritur për këtë çështje. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, ka siguruar dje se puna për konkretizimin e reformës në Kodin Zgjedhor nuk mund të bëhet në një komision parlamentar të cilit i ka mbaruar afati. Por ajo nuk ka bërë të qartë se socialistët do të kërkojnë shtyrjen edhe për një kohë tjetër të afatit të funksionimit të komisionit ekzistues apo do të mbështesë kërkesën e partive të vogla për të krijuar një komision të ri me anëtarë të rinj. “Natyrisht që nuk mund të ketë diskutime në një komision të cilit i ka mbaruar mandati, pra që nuk ekziston më, pra do të thotë që mënyrat që do të diskutohen propozimet mbetet për t’u parë”, - tha kryetarja e grupit kuvendor socialist. Ndërkohë që po dje, presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, ka kërkuar që reforma zgjedhore të realizohet nga një komision i ri me dy bashkëkryetarë të rinj. “Të kemi një format të njëjtë, pra komision të posaçëm për reformën zgjedhore, por me bashkëkryetarë të rinj, për të diskutuar për kodin elektoral”, - u shpreh Ceka. Përveç çështjes së komisionit, midis të mëdhenjve dhe të vegjëlve vazhdon të gjenerojë debat edhe pragu elektoral. Megjithëse me sanksionimin e sistemit të ri zgjedhor në Kushtetutë një debat i tillë bëhet i pavlerë, partitë e vogla përsëri dje kanë ngritur shqetësimin e tyre për nivelin e lartë të tij në një numër të përcaktuar qarqesh. Për të zbutur sadopak këtë problem ata kanë kërkuar dje që të bëhet një balancim i numrit të deputetëve në të gjitha qarqet. “Duhet që zonat zgjedhore të bëhen në mënyrë të balancuar, pra që të kenë numër të barabartë deputetësh për të gjithë vendin”, - theksoi Ceka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›