Berisha: Pohoj se sërish në vend ka korrupsion
Pavarësisht përbetimit për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, kryeministri Sali Berisha ka pranuar dje se administrata publike vazhdon të jetë e mbërthyer nga ky fenomen. Në vijim të turit të tij “Shqipëria në NATO” kreu i qeverisë, Sali Berisha, është ndalur dje në Bashkinë e Divjakës, ku dhe ka çelur sezonin turistik. Gjatë vizitës së tij ai ka përuruar një sërë projektesh në infrastrukturë dhe ambiente shplodhëse, ku natyrisht nuk ka munguar dhe bërja e një përmbledhjeje për arritjet e qeverisjes së vet trevjeçare. Gjatë fjalës së mbajtur në një takim me banorët e kësaj zone, shefi i qeverisë ka deklaruar dje se Shqipërisë i mbetet ende shumë punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit. Ai ka theksuar se megjithë përpjekjet e qeverisë, ky fenomen vazhdon të jetë shqetësues për qytetarin shqiptar. “Sërish pohoj se ka korrupsion, dhe unë kërkoj ndihmën tuaj,mbështetjen tuaj për të prerë edhe degët e fundit të korrupsionit. Këto janë trungjet, më ndihmoni t’ju tregojmë vendin ryshfetxhinjve. Ju do të më falni nëse unë përdor këtë shprehje, por nuk ka sinonim tjetër më të saktë sesa faqezinj. Ai që gjobit qytetarin për t’i firmosur të drejtën e tij, një të drejtë që i takon me ligj, ai e ka faqen më të zi se zifti. Por, ju duhet të bëheni pjesë e kësaj lufte, sepse ju jap fjalën e nderit, ky është shërbimi më i madh që ju mund t’i bëni vendit tuaj”, - u shpreh kryeministri Berisha. Ndërkohë, duke u ndalur te tema e bazë e këtij turi, pra marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, kreu i ekzekutivit e ka cilësuar atë si një votëbesim nga ndërkombëtarët për punën e qeverisë së tij. “Ftesa, siç do të theksonte Presidenti i SHBA-së, Xhorxh W. Bush, ishte votëbesim unanim i 26 qeverive të vendeve anëtare, për reformat, për përpjekjet, për arritjet tona të përbashkëta”, u shpreh Kryeministri. Gjithashtu ai ka ripërsëritur edhe një herë se qeveria e tij është e vendosur për të bërë rritjen e rrogave dhe pensioneve në muajin korrik.