Topi: Të rishikohet ligji për tokat
Presidenti nga Himara ka përcaktuar si një domosdoshmëri zgjedhjen e problemit të pronës
“Po të bëjmë një vështrim retrospektivë në të kaluarën, do të shohim se me pronën janë bërë mjaft gabime.”
Nuk mund të ketë zhvillim të turizmit pa zgjidhur në mënyrë përfundimtare çështjen e pronësisë në vend. Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë dje nga qyteza problematike e Himarës, kreu i shtetit Bamir Topi gjatë takimeve që ka zhvilluar me përfaqësues të pushtetit vendor dhe deputetë të zonës, ku natyrisht nuk ka munguar dhe një takim me kreun e Bashkisë, Vasil Bollano. Presidenti ka marrë pjesë dhe në konferencën e II Pan-Himariote me temë “Ndërtimi i vizionit për prioritetet e zhvillimit të rajonit të bregdetit”, ku ka mbajtur një fjalë të gjatë lidhur me problematikën që ka zhvillimi i turizmit në vend. Duke analizuar situatën dhe të gjithë faktorët frenues të zhvillimit të industrisë së turizmit, kreu i shtetit ka vënë “gishtin” tek problemi i pronave, i cili duket se në Himarë është edhe më i mprehtë. “Problemi i pronësisë lidhet në mënyrë shumë të qëndrueshme edhe me perspektivën e zhvillimit të zonave. Nuk ka shanse të zhvillohet një turizëm i perspektivës, turizëm bashkëkohor, turizëm që do të garantojë të gjithë perspektivën e kësaj zone dhe të zonave të tjera turistike, pa u konsoliduar dhe pa marrë zgjidhje definitive çështja e pronësisë”, - u shpreh presidenti Bamir Topi gjatë fjalës së vet. Kreu i shtetit ka pranuar publikisht se me pronat përgjatë gjithë këtyre viteve pluralizëm politik është abuzuar në mënyrë sistematike, sidomos nga komisionet e ndarjeve të tokave dhe pushtetit vendor. “Po të bëjmë një vështrim retrospektivë në të kaluarën, janë bërë mjaft gabime. Janë bërë gabime të cilat mund t’i konsiderojmë si gabime që lidhen me kohën kur u miratuan ligjet dhe, në mënyrë absolute, askush nuk gjykohet pse realizoi një ligj jo fort të mirë. Këto ishin interesat e kohës, këto ishin padyshim dhe përgatitjet profesionale, intelektuale dhe politike të kohës, por ajo që do të ishte e pafalshme në çdo kohë, si në vitin 1992, ashtu dhe në vitin 2008, është pikërisht abuzimi me ligjin që është në fuqi, apo me kuadrin ligjor që është në fuqi”, - u shpreh kreu i shtetit. Por evidentimi i këtij problemi, sipas Presidentit, nuk mjafton, prandaj ka theksuar ai është e nevojshme që strukturat shtetërore të bëjnë punën e vet për riparimin e këtyre problemeve. Për këtë, ka theksuar Topi, është e nevojshme rishqyrtimi i të gjithë titujve të pronësisë mbi tokën, si e vetmja mënyrë për të zbuluar abuzuesit me tokën. “Është bërë një hap i rëndësishëm që duhet marrë në konsideratë - rivlerësimi i mjaft pronave, që janë marrë në mënyrë abuzive. Unë, si President i Republikës, e inkurajoj këtë hap. Pa konsolidim të titujve të pronësisë nuk do të kishte as hapje të tregut ligjor, pra të komunikimit të njerëzve për të shitur dhe për të blerë tokën”, theksoi Presidenti. Ai nuk ka ngurruar që të përmendë edhe shifra konkrete për rastet ku dhe është abuzuar me pronat, për vërtetimin e të cilave ai ka ftuar edhe organin e prokurorisë. “Sipas informacionit që unë kam, janë rreth 2180 tituj pronësie që pretendohet se janë marrë në mënyrë abuzive, atëherë unë mendoj që duhet të ketë një transparencë të plotë me institucionet dhe duhet ta zgjidhim këtë çështje”, - u shpreh Topi. Ai i ka përcjellë një mesazh edhe politikës e cila sipas tij duhet të angazhohet në përmirësimin e legjislacionit aktual me të cilin rregullohet çështja e pronësisë në vend. “Unë kam inkurajuar institucionet, të gjitha ato institucione që merren qoftë me administrimin e të drejtës së pronësisë në Shqipëri, por edhe politikën në përgjithësi, që të bëjnë ç’është e mundur që të rivendosin të gjithë të drejtën mbi pronën aty ku është abuzuar me kuadrin ligjor ekzistues. Kam inkurajuar edhe një motivim më shumë që politika, parlamenti, qeveria të përmirësojnë kuadrin ligjor në mënyrë që çështjet e pronësisë në Shqipëri të marrin një zgjidhje përfundimtare”, - theksoi presidenti Topi.
Presidenti Bamir Topi ka takuar dje gjatë vizitës në Himarë Vasil Bollanon
Topi-Bollanos: Duhet bashkëpunim me pushtetin qendror
Gjatë vizitës së tij në Himarë kreu i shtetit, Bamir Topi, nuk i është shmangur dot një takimi dhe me kreun e Bashkisë së këtij qyteti, Vasil Bollano. Vizita e punës së presidentit Topi në qytetin e Himarës nisi pikërisht me një takim në Bashkinë e Himarës me kryebashkiakun Vasil Bollano dhe me anëtarët e Këshillit Bashkiak, me të cilët diskutoi rreth çështjeve më të mprehta që shqetësojnë pushtetin vendor në këtë zonë. Nisur edhe nga qëndrimet e shpeshta provokuese të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, ndaj ndjenjave nacionaliste të shqiptarëve, Presidenti i Republikës, megjithëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka përcjellë mesazhin se bashkëpunimi dhe jo parcelizimi, është e ardhmja për zhvillimin e kësaj zone. “Mesazhi im është i qartë: bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim, në të mirë të kësaj zone të mrekullueshme, në të mirë të Shqipërisë, në të mirë të të gjithë atyre që kërkojnë të integrohen në Evropë”, - u shpreh kreu i shtetit. Duke veçuar harmoninë fetare që ekziston në Shqipëri si një vlerë e patjetërsueshme, Presidenti ka theksuar se ajo duhet të jetë shembull edhe për marrëdhëniet në të gjitha aspektet midis komunitetit të kësaj zone. “Bashkëkzistencë në standardet më të larta të harmonisë fetare - e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi që një ndër elementët me të cilin ne krenohemi në komunitetin ndërkombëtar, në organizmat e ndryshme ku bëjmë pjesë, aty në atë linjë ku ne dëshirojmë të shkojmë, është pikërisht standardi i harmonisë fetare”, - tha Topi. Duke iu referuar pikërisht rolit që luan pushteti vendor në mirëorganizimin e jetës së një komuniteti, Topi i ka bërë thirrje drejtuesve lokalë që të punojnë për të ardhmen dhe jo për interesat e tyre personale. “Ka ardhur koha që i gjithë shteti, të gjitha strukturat e pushtetit vendor, kudo që janë, të mendojnë jo për vete, të mos mendojnë për interesat e çastit, të mendojnë për perspektivën. Të mos bëhemi kaq egoistë, por të mendojmë për brezat. Integrimi në radhë të parë vjen nga mentaliteti. Secili duhet të hapë mendjen e tij, duhet të jetë më i gjerë, më i hapur, më bashkëpunues. Sot nuk është koha e parcelizimeve. Unë jam i bindur që gjërat nuk bëhen thjesht me pushtetin vendor, gjërat harmonizohen me pushtetin qendror”, - tha Topi.