E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurozona me shume ceshtje te pazgjidhura

Mosakordimi i vendeve europiane për një buxhet shtesë për këtë vit ka cuar në një dështim të buxhetit për vitin 2013. Por polemikat në Bruksel janë të shumta edhe për të tjera vendime që duhet të marrin zgjidhje sa më parë për daljen nga kriza. Takimet e fundit të ministrave të Financave të Eurogroup dhe Ecofin duket se i kanë thelluar edhe më tej mosmarrëveshjet mes vendeve të Eurozonës. Mbeti e pazgjidhur jo vetëm cështja e kreditimit të Greqisë por edhe të tjera tema aktuale që kanë rikthyer frikën e një krize të re në Eurozonë. 
Ndarja e Europës ka vijuar edhe mbi një regjim të ri të mbikëqyrjes bankare. Ajo duhet të garantojë që mundësisht të gjitha bankat në Evropë të kontrollohen sipas kritereve të njëjta. 
Komisioneri europian Michel Barnier, përgjegjësi për hartimin e këtij projektligji të ri  të vigjilencës bankare ka kërkuar t’i cojë përpara bisedimet duke folur për vonesa të pajustifikuara.  
“Kemi ende shumë për të bërë. Besoj se do të jetë e mundur një marrëveshje në dhjetor edhe pse do të jetë shumë e vështirë. Uroj që një vendim i integruar të zbatohet brenda janarit të vitit të ardhshëm, sikurse kanë premtuar edhe krerët e BE”, vlerësoi ai. 
Por ka edhe probleme të tjera sic është ndarja e mbikqyrjes bankare dhe politikës monetare në Bankën Qendrore Evropiane pasi mbikqyrja do të funksionojë nën çatinë e saj. Polemika ka edhe për përmasat e mbikqyrjes dhe ndarjen e kompetencave mes kontrollit bankar kombëtar dhe atij evropian. Dhe së fundi: bankat evropiane veprojnë në tregun e brendshëm evropian por BQE është përgjegjëse vetëm për vendet e eurozonës. 
Gjermania kërkon të kufizojë supervizionin bankar nga ana e Eurotoëer për bankat më të mira, ndërsa Britania e Madhe kërkon të ndalojë bankën qëndrore të marrë vendime që janë jashtë mandatit të saj. 
  "Ne jemi duke diskutuar për cështje që kanë të bëjnë me një organizim të mjaftueshëm, që siguron ndarjen e plotë të politikave monetare dhe të mbikëqyrjes bankare. Kjo është gjithashtu e vendosur në mënyrë eksplicite nga Këshilli Evropian. Ku është përcaktuar se edhe vendet jashtë euros mund të marrin pjesë me të drejta të barabarta në vendimmarrje, deklaroi Schaeuble.
Austria sheh për këtë arsye rrezikun "e një fragmentimi mes eurozonës dhe pjesës tjetër të Evropës".  Sipas ministrit suedez Anders Borg nuk është e pranueshme që në këtë program të përfshihen edhe vendet jashtë euros. 
“Është shumë e vështirë të pranohet se vendet që nuk përdorin euron, që do të thotë gjysma e bordit drejtues, të kenë një veto kundër gjysmës tjetër të bordit”, deklaroi ai.
Meqenëse ka ende shumë çështje të pasqaruara plani kohor deri në dhjetor gjendet nën trysni të madhe. BE aktualisht është aq i zënë me problemet e buxhetit sa afati i 1 Janarit duket shumë i rrezikuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›