E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurozona vijon recesionin

Muaji maj rikonfirmon rëndesën e recesionit në sektorin e industrisë në eurozonë. Të dhënat e qendrës kërkimore Markit tregojnë një ecuri negative të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e manifakturës krahasuar me muaj prill. Sipas Markit rënia në nivelin e 45,1 pikëve e këtij sektori në muajin maj tregon për performancën më të keqe që nga viti 2009. Gjithashtu komunikimi i shifrave të Zyrës Europiane të Statistikave tregon për një situatë të përkeqësuar edhe në tregun e punës. Sipas Eurostat, në Eurozonë norma e papunësisë është ngjitur edhe më tej gjatë periudhës mars-prill të këtij viti, duke shkuar nga 10,9% në 11%, kundrejt 9,9% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vendet e humbura të punës në harkun kohor të një muaji arrijnë në 110 mijë , një shifër që e con totalin në kuotën e 1,797 milionëve. Vetëm në vendet e Eurozonës të papunët në muajin prill ishin 17,405 milionë, rreth 2 milionë më shumë se i njëjti muaj i vitit 2011. Duke zgjeruar kuadrin në të gjithë BE përqindja e të papunëve shkon në 10,3%, apo 24,667 milionë persona, krahasuar me nivelin e 9,5% në vitin e kaluar. Vendi që llogarit më shumë të papunë në Europë figuron Spanja, me 24,3%, ku vetëm për të rinjtë kjo shifër arrin rekordin në 51,5%. Vijon Franca që ndjek të njëjtën ecuri si Italia me 10,2%. Ndërsa ekonomia e parë e Europës, Gjermania shkon në kundër tendencë me një normë mujore në rënie të papunësisë me gati 1%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›