Eurozona ka nevoje per me shume integrim

Monedha e vetme e Europës duhet të mbështetet nga politika fiskale të përgjegjshme dhe bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve anëtare për të mbijetuar. Është kjo deklarata e zyrtarëve të larët të BE në forumin ekonomik në Bruksel.
Pa një konsolidim fiskal Eurozona rrezikon shpërbërjen, ka deklaruar komisioneri për çështjet ekonomike dhe monetare në BE, Olli Rehn.
“Kemi nevojë për një kulturë të mirëfilltë të stabilitetit në Eurozonë dhe të shteteve anëtare të saj, për më shumë aftësi të përbashkëta për të bllokuar infektimin financiar dhe reduktim të kostove të borxhit. Për të qenë të sinqertë ky është momenti, në rast se deshirojmë të shmangim një disintegrim të zonës euro, për ta bërë euron të mbijetojë dhe të ketë sukses për të mirën e të gjitha vendeve anëtare e kryesisht për qytetarët e tyre”, tha Rehn.
Rehn është shprehur se konsolidimi fiskal duhet të ketë prioritet mbi emetimin e obligacioneve në euro. Eurobondet do të nënshkruhen bashkërisht nga të gjitha shtetet anëtare të zonës euro dhe janë një mënyrë për të ulur borxhin evropian.
Ai u ka bërë thirrje vendeve që së pari të sjellin në linjë politikat buxhetore dhe më pas të shkojnë drejt bashkimit fiskal.
“Me fjalë të tjera ne nuk do të jemi në gjendje të përballojmë problemet tona nëse përqëndrohemi vetëm në borxhin publik pa siguruar njëkohësisht mbështetjen fiskale dhe as nuk do të jemi në gjende të qasim një kulturë stabiliteti në eurozonë pa vendosjen e përbashkët të rregullave të bilancit”, sqaroi më tej Rehn.
Duke folur në Parlamentin Europian, presidenti i BQE, Mario Draghi ka deklaruar se konfigurimi aktual është i paqëndrueshëm.
“Ky konfigurim që ne kemi pasur në linjë për një dhjetvjecar, që është konsideruar i qëndrueshme, më duhet tu them se sot shfaqet e paqëndrueshmepër më tepër nëse nuk ndërmarrim hapa të tjerë të nevojshëm”, vlerësoi Draghi.
Duke iu drejtuar liderëve europianë Draghi ka thënë se ata duhet të sqarojnë se si do të jetë Europa në dhjetvjecarin e ardhshëm, cfarë lloj vizioni dëshirojmë të kemi dhe se cilat do të jenë hapat për t’i arritur. Po kështu edhe për bashkimin bankar për të cilën është folur, duhet të dimë se cilat do të jenë hapat e nevojshëm për ta realizuar një gjë të tillë. Për Draghin është e rëndësishme që sistemi bankar europian të shkojë drejt këtij bashkimi bankar përmes një garancie të depozitave bankare në nivel europian dhe të një survejimi mbi bankat më të centralizuara. Draghi ka paralajmëruar se BQE nuk mund të mbështesë më qeveritë. Nuk mund të mbushim mungesën e veprimeve përballë llogarive publike. Nuk është mandati ynë as edhe detyra jonë ka thënë Mario Draghi, duke shtuar se, detyrat e Eurotower janë politikat monetare.