Rriten depozitat ne sistemin bankar shqiptar
Rriten depozitat në sistemin bankar shqiptar edhe për muajin prill. Në fund të këtij muaji ato arritën vlerën e 891.3 miliardë lekëve, me një rritje prej rreth 7 miliardë lekë krahasuar me muajin paraardhës. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave,
depozitat në sistem rezultuan 10.5% më shumë se një vit më parë. Ndërkaq, kredimit ka ecur në kahun e kundërt. Portofoli i kredisë ra në vlerën e 549.8 miliardë lekëve, me një ulje të lehtë prej rreth 200 milionë lekësh krahasuar me një muaj më parë. Kreditimi i individëve gjatë muajit prill ra me rreth 500 milionë lekë krahasuar me një muaj më parë. Ndërsa teprica e kredisë për biznesin njohu rritje me rreth 400 milionë lekë. Pasiguria që transmeton mjedisi i brendshëm dhe i jashtëm ekonomik ka bërë që individët të ulin konsumin dhe bizneset të heqin dorë nga investimet.
Një situatë e tillë u pasqyrua edhe në fjalimin e fundit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili deklaroi se ekonomia po zhvillohet nën potencial, edhe për shkak të shtyrjes së investimeve nga ana e biznesve për në një kohë tjetër.
Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të nxitur shpenzimet përmes politikave monetare lehtësuese nuk duket se po e arrijnë qëllimin e tyre. Guvernatori Fullani la të kuptohej gjatë fjalës së tij se Banka Qendrore do të nisë dialogun me bankat tregtare, për të diskutuar rreth mënyrave si mund të nxitet rritja e kredisë.